13 kompani konkurrojnë për renovimin e stadiumit të Prishtinës [foto]

Trembëdhjetë ofertues kanë aplikuar për të marrë përsipër renovimin e stadiumit të Prishtinës, që gjatë vitit 2017 parashikohet të jetë i gatshëm dhe modern për gara ndërkombëtare.

Ofertat për renovimin e stadiumit të qytetit në Prishtinë janë hapur të hënën në zyrat e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, shkruan sot Koha Ditore.

MKRS-ja si financuese kryesore e projektit ka përcaktuar që vlera maksimale e renovimit nuk mund të kalojë 5.7 milionë euro, dhe mbi këtë vlerë ofertën e saj e paraqiti vetëm një ofertues nga Turqia – 5.963.411 euro, që ishte edhe i vetmi i huaj. Çmimi më i ulët ofertues ishte i një kompanie kosovare, në vlerë prej 2.577.773 eurosh.

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Shala, ka thënë se për të shqyrtuar ofertat do të themelohet një komision i gjerë.

“Duhet të themelohet një komision. Ne jemi të interesuar që komisioni të jetë sa më përfaqësues. Do të përfshihen edhe njerëz të Universitetit, njerëz të drejtpërdrejtë që janë të angazhuar në futboll dhe përfaqësues të MKRS-së”, ka thënë Shala pas një takimi që pati me zyrtarët e klubit Prishtina, tri orë para se të mbyllej afati i tenderimit.

Por, ministri Shala nuk ka dhënë datë se kur do të shpallet fituesi e as se kur do të nisin punimet për renovimin e stadiumit. Ajo që Shala ka konfirmuar është se punimet nuk do të kryhen brenda këtij viti..

oferta 2

oferta 1

Shpërndaje.