Behgjet Shala: Prokuroria të merret me deklaratat e banorëve për Nenad Rikalon

Kryetari i Këshillit për Mbrojtjen e Lirive dhe të Drejtave të Njeriut, Behgjet Shala , ka thënë se nuk kanë material që inkriminon Nenad Rikalon.

Por Shala thotë se Prokuroria Speciale për Krime Lufte është dashur të merret me deklaratat e banorëve që i kanë dhënë në media.

Shala thotë se iu beson deklaratave të banorëve për atë që kanë treguar për Ministrinë e Bujqësisë.

“Nuk e kemi asnjë material për Nenad Rikollën. Banorët tash po deklarohet, por ky është qe një kohë të gjatë anëtar i KQZ-së. Nuk kemi informacione, e as banorët nuk na kanë sjell ndonjë dëshmi që inkriminon Rikallon në keqtrajtimin e shqiptarëve. Po te kishim ndonjë material do ta procedonim tutje në organet kompetente. Unë nuk po i kundërshtoj deklaratat e banorëve, sepse ata e njohin më mirë, por ne si këshill nuk e kemi asnjë material inkriminuese kundër Rikallos. Ne kur kemi pasur fakte i kemi quar dhe shumë persona janë arrestuar”, ka thënë Shala për lajmi.net.

Disa banorë të lagjes Dardania në Prishtinë thonë se ministri i Bujqësisë Nenad Rikalo ka maltretuar shqiptarët gjatë kohës së luftës. Këta banorë thotë se janë rrahur dhe kërcënuar me armë nga Rekalo.

Shala konsideron se prokuroria duhet të merret me deklaratat e banorëve që i kanë dhënë dhe të nis hetimet.

“Nëse kanë fakte banorët t’i qojnë në prokuori, por në anën tjetër edhe prokuroria eksoficio në bazë të deklaratave të banorëve që i kanë dhënë, duhet të merret me rastin. Prokuroria për Krime Lufte duhet të tregojë interesim për këto deklarata të banorëve”, ka thënë Shala për lajmi.net.

Ndryshe Rikalo ka marr drejtimin e Ministrisë së Bujqësisë në Qerverinë Haradinaj.

Shpërndaje.