DAKU: Ndërhyrja ruse do të duhej të përshpejtonte anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare

Rusia ka ndikim dhe ndërhyn në shtete të botës, por një ndërhyrje është konstatuar edhe për shtetin e Kosovës. Kështu rezulton në bazë të raportit “Ndërhyrja e Rusisë në Kosovë: si dhe pse?”, i cili është publikuar nga Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS).
Sipas këtij raporti, Kosova është e ekspozuar ndaj një fushate të gjerë ndikimi në rritje të ndërhyrjes ruse kundër modelit të shtet-ndërtimit perëndimor dhe vlerave të tij demokratike, veçanërisht që nga viti 2008.

Hulumtimi konstaton se shumë instrumente subversive dhe jo-ushtarake do të vazhdojnë të përdoren kundër karakterit multietnik të Kosovës, me qëllim që të krijohen pretekste për një shtet të dështuar si dhe të rritet separatizmi lokal brenda komunitetit serb në komunat veriore.

Drejtori i Qendrës Kosovare për Diplomaci, Selim Daku ka komentuar këtë raport, duke thënë se ndikimi dhe ndërhyrja e Rusisë në Kosovë po rritet, pasi këtu ka rrjetin e ndikimit, Listën Serbe, organizata nga shoqëria civile, ato fetare dhe media.

“Është normale që Rusia të synojë ndërhyrje dhe rritje të ndikimit në Kosovë. Me ndërhyrje dhe rritje të impaktit të Rusisë po ballafaqohen shumë shtete sot. Në Kosovë Rusia ka një rrjet të sigurt të shtrirjes së ndikimit, duke përfshirë aktorë institucional siç është Lista serbe dhe ata jo institucional siç janë organizatat e shoqërisë civile, organizatat fetare dhe mediat.

Ndërhyrja e Rusisë përmes serbëve të Kosovës dhe faktorëve të tjerë rrezikon qenësinë e shtetit të Kosovës. Ky rrezik do të bëhej i papërballueshëm për shtetasit e Kosovës nëse valës së ndikimit rus në Kosovë do të i kontribuonin me apo pa vetëdije edhe nga pala shqiptare.

Aktualisht, qytetarët e Kosovës dhe udhëheqësit e institucioneve nuk duhet të presin mirësjellje nga Rusia. Ne jemi të vetëdijshëm që Rusia është pengesë serioze në rritjen e numrit të njohjeve dhe rritjen e subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës. Institucionet shtetërore duhet të ndërtojnë strategji të veçantë që i qaset problemit rus.

Konsideroj që sado që rritet ndërhyrja e Rusisë në Kosovë, në asnjë mënyrë nuk lëkundet orientimi popullor pro perëndimor i qytetarëve të Republikës së Kosovës”, është shprehur Daku.

Sa i përket mënyrës se sa ndikon në anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare kjo ndërhyrje e Rusisë, ai mendon se kjo ndërhyrje do të duhej të përshpejtonte rrugën e anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare.

“Orientimi properëndimor i Kosovës, raportet speciale me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Evropian, nuk janë të mjaftueshme që Kosova të anëtarësohet në organizata ndërkombëtare. Kosova duhet të punojë pandërprerë në përmbushjen e standardeve të përcaktuara nga bashkësia ndërkombëtare për zhvillim dhe anëtarësim në organizata ndërkombëtare.

Poashtu, SHBA-të dhe BE-ja duhet të kenë parasysh që fillimi i stopimit të zhvillimit të përpjekjeve të Rusisë për ndërhyrje në Ballkanin Perëndimor do të niste me rritjen e subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës dhe anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare. Prandaj, rritja e ndërhyrjes ruse në Kosovë do të duhej të përshpejtonte rrugën e anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare”, ka vazhduar më tej Daku për “Bota sot”.

Drejtori i Qendrës Kosovare për Diplomaci tregon edhe si do të duhej të veprohej, që një ndërhyrje e tillë e Rusisë në Kosovë të stopohej.

“Anëtarësimi i Kosovës në organizatat ndërkombëtare nuk do të ndalonte përpjekjet ruse për ndërhyrje në Kosovë. Forcimi i rendit dhe ligjit, zhvillimi ekonomik dhe specializimi i mekanizmave të sigurisë në Kosovë në bashkëpunim me SHBA-të dhe BE-në, mund të ishin elemente që do të ndikonin në minimizimin e ndërhyrjeve të tilla. Ndërhyrja ruse nuk do të stopohet pse ne kemi orientim properëndimor, përkundrazi, ajo mund të ndodhë vetëm nëse një gjë të tillë e bëjnë institucionet e sigurisë në Kosovë”, ka deklaruar ai për “Bota sot”.

Shpërndaje.