Ja çka dyshohet se i shkaktoi vdekjet në QKUK

Dy prej katër vdekjeve të raportuara në klinikat kirurgjike të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) dyshohet se janë shkaktuar nga sistemi i furnizimit me oksigjen, shkruan sot Koha Ditore.

Dy bombolat nga të cilat sallat e operacionit janë furnizuar me oksigjen janë blombuar dhe pritet të dërgohen jashtë vendit për analiza të mëtejme.

Sipas përfaqësuesve të Inspektoratit Shëndetësor dhe atij Farmaceutik, rezultatet preliminare të hulumtimeve të tyre tregojnë që faktori njeri, diagnoza, aparatura dhe barnat që janë përdorur nuk janë shkaktarë të vdekjeve të dyshimta.

Të enjten e kaluar, në Klinikën e Kirurgjisë në QKUK kanë vdekur katër pacientë të cilët, kishin kryer operacione të ndryshme në këtë klinikë. Në mesin e tyre është edhe një fëmijë, ndërsa ka edhe pacientë të tjerë, nga operacionet e kryera atë ditë, me gjendje të keqësuar e që janë në mjekim intensiv.

Ngjarja ka kaluar në heshtje, derisa nuk u bë publike nga mediat.

Shpërndaje.