Krimet e Komunës së Istogut ndaj objekteve dhe vendngjarjeve historike!

Serbët torturonin, maltretonin dhe vrisnin shqiptarë, Komuna e Istogut dhe pushtetet e saj, i mbuluan të gjitha provat dhe dëshmitë!

Duke filluar që nga pushteti i parë në Komunën e Istogut dhe deri tek pushteti dhe regjimi i sotëm, asnjë nuk u përkujdes për objektet dhe vendngjarjet historike, të cilat sot e kësaj dite mbesin në mendjen e secilit shqiptarë të Komunës tonë.
Të gjithë istogasit, bile edhe më gjerë, e njohin dhe e dinë vendin që sot quhet “Sheshi i Gjakut”, dikur e ashtuquajtura “Kulla e Popit”! Ky objekt, i shërbente regjimit serb, i cili sillte shqiptarë të pafajshëm, të rinj dhe të moshuar, të cilët i torturonte dhe i vriste në mënyrën më makabër, që asnjëherë nuk ishte parë e dëgjuar! Fama e keqe e këtij objekti (Kulla e Popit), është e përhapur në të gjithë territorin e Komunës së Istogut, ku sipas gojëdhënave dhe transmetimeve nga më të moshuarit, shumë familje të Istogut kanë të afërm të cilët iu janë vrarë në atë objekt të tmerrshëm të asaj kohe.
Pas Luftës 1998-1999 Komuna e Istogut, atë objekt (Kullën e Popit), në vend që ta ruaj si dëshmi të tmerreve që i shkaktoj Serbia popullit të Kosovës, ajo e rrënon dhe parcelën ku ishte i ndërtuar e privatizon dhe sot është ndërtuar një biznes i quajtur “Jaffa”!

Krimi i dytë historik që dua ta përmend, e që pushteti komunal i Istogut nuk u interesua aspak për te, është vendi i ashtuquajtur “Lluga e Xhamisë”, i cili ishte vend me shumë baltë dhe ishte mbushur me kufoma shqiptarësh, e që pa dyshim kishte lidhmëri me objektin që përmendëm më lartë (Kulla e Popit), sepse viktimat që i vrisnin në “Kullën e Popit”, i dërgonin në “Llugën e Xhamisë” ku edhe i fundosnin në baltë. Flitet për qindra shqiptarë të vrarë dhe të fundosur në “Llugën e Xhamisë”, të gjithë të torturuar dhe të vrarë nga regjimi serb.
Pas Luftës 1998-1999 Komuna e Istogut pa asnjë fije turpi dhe ndjesie njerëzore, mbi atë baltë sjellë gurë dhe rërë, ku mbi të fillon ndërtimin e Palestrës së Sportit, Palestër e cila ka filluar të ndërtohet diku para 7 vitesh dhe Zoti e di se kur do të përfundoj.

Një krim tjetër historik të cilin dua ta ceku, është mosinteresimi dhe neglizhenca ndaj varrezave të vjetra në Gurrakoc, e që nuk janë thjeshtë varreza të rëndomta sepse në to janë të varrosur 13 viktima të te rinjve shqiptarë të vrarë nga serbët rreth vitit 1920 (ngjarje për të cilën do të flas më gjerësisht një herë tjetër).
Pushtetet komunale pas Luftës së fundit në Kosovë, asnjëherë nuk u interesuan për to, mbi të cilat varreza regjimi serb ndërtoi Tregun e Gurrakocit dhe dy objekte biznesi. Komuna e Istogut në vend që të paktën të ngrejë një memorial në shenjë respekti dhe përkujtimi për këta martir, ky regjim istogas lëshon leje për renovim të njërit nga bizneset mbi ato varreza.

Pra, pushtetet e kaluara dhe ky i tanishmi, të cilat janë shndërruar në regjime të pamëshirshme për historinë nëpër të cilën kanë kaluar qytetarët e Istogut dhe rrethinës së tij, ka përgjegjësi të mëdha ndaj familjarëve dhe vet shkencës së Historisë! Andaj, unë si historian në formim, i denoncoi tek populli këto krime ndaj të kaluarës së hidhur, që kriminelët serb i ushtruan mbi shqiptarët, ndërsa kriminelët shqiptarë në pushtet të Komunës së Istogut i mbuluan dhe i zhdukën

Shpërndaje.