Pacolli optimist: Mendja ma thotë se Kosova shpejt do të bëhet anëtarja e 194’të e OKB’së

Zëvendëskryeministri i Kosovës dhe ministri i Jashtëm, Behgjet Pacolli, përmes një postimi në Facebook, ku i ka bashkëngjitur edhe një fotografi, ka përfytyruar ditën kur Kosova të bëhet anëtarja e 194-të e OKB-së.

Ai ka shtuar se Kosova e meriton të jetë pjesë e kombeve të lira, pasi sipas tij, Kosova ka dëshmuar se është shtet paqedashës.

Postimi i plotë i Pacollit:

New York, 22 Shtator – Mendja ma thotë dhe zemra më rrah, që flamuri i Republikës së Kosovës do të valojë dhe shkëlqejë, në njërën nga këto shtiza. Dita, kur shteti ynë do të jetë anëtari i 194-të i Organizatës së Kombeve të Bashkuara duket më e afërt se kurrë. Kosova e meriton vendin e saj në mesin e kombeve të lira sepse në ekzistencën e saj gati dhjetë-vjeçare ka dëshmuar se është shtet-paqedashës dhe ka forcuar stabilitetin rajonal.