Parakushtet për të krijuar një rreth filozofik

Shkruan: Klementin Mile

“Gjëja më provokuese për mendimin, në kohën tonë mendim-provokuese, është se ende nuk po mendojmë”, shkruante filozofi i famshëm gjerman Martin Heidegger para disa dekadash. Heideggeri e kishte fjalën për mendimin themeltar, për reflektimin e thellë që krijon koncepte, me anë të të cilave mund të vëzhgojmë veten dhe botën, të shkuarën, të tashmen dhe të ardhmen, ekzistencën dhe qenien. Shoqëria njerëzore, në stadin aktual, sipas Heideggerit ka nisur të bëhet e varur tërësisht nga shkencat natyrore dhe sociale. Por kjo varësi është e rrezikshme sepse shkenca nuk mendon – ajo vetëm kalkulon.

Shkenca dekompozon dhe rikombinon elemente e gjëra të cilave nuk ua njeh esencën. Në këtë mënyrë shkenca vendoset në shërbim të teknologjisë, e cila materializon gjetjet shkencore në dimensionin e së dobishmes. Por as teknologjia, e cila dominon jetët tona në të gjitha situatat, nuk mendon. Teknologjia, për shembull, është neutrale ndaj mënyrës së përdorimit të saj. Ajo mund të përdoret për lehtësuar jetën e njeriut, ashtu si dhe mund të përdoret për ta shkatërruar atë. Teknologjia nuk mishëron etikë, as estetikë, as politikë.

Paaftësia e shkencës dhe teknologjisë për të menduar bie ndesh me investimet e jashtëzakonshme që bëhen për to dhe reputacionin e madh që gëzojnë këto fusha të aktivitetit njerëzor. Prandaj sot duhet të na e provokojë mendimin fakti që ende nuk mendohet. Në mungesë të mendimit, shoqërisë njerëzore i mungon themeli për të bazuar vlerat, dijen dhe veprimin.

Parakushti kryesor për të krijuar një rreth filozofik është pikërisht të kuptuarit e nevojës imediate për mendim. Rrethi filozofik është forumi i përshtatshëm për të gjeneruar mendim. Forume të tilla nuk duhen ngatërruar me klubet filozofike, as me kurset e filozofisë në shkolla e universitete. Rrethi filozofik është cilësisht i ndryshëm prej tyre.

Ai nuk është një forum pedagogjik ku njëri (si në rastin e kursit filozofik) ose disa (si në rastin e klubit filozofik) u japin leksion të tjerëve për gjëra që pretendojnë se i dinë; rrethi filozofik është një marrëdhënie të barabartësh si në marrje ashtu dhe dhënie.

Rrethi filozofik nuk duket të ketë ekzistuar ndonjëherë në Shqipëri. Tradita filozofike e vendit tonë është relativisht e varfër; e megjithatë nuk ka qenë varfëria e traditës pengesa vendimtare për krijimin e rretheve filozofike, pasi edhe në varfëri mund të kishte një marrëdhënie të barabartësh.

Parakusht i panegociueshëm i krijimit të një rrethi filozofik është ontologjia e imanencës. Ashtu si pikat të cilat formojnë figurën gjeometrike të rrethit në një plan të rrafshët, pa qenë ndonjëra prej tyre më e rëndësishme se të tjerat, më lart se të tjerat, apo më e theksuar se të tjerat, – por të barabarta në angazhim dhe organizim, edhe rrethi filozofik mund të krijohet vetëm atëherë kur anëtarët angazhohen dhe vlejnë njësoj për organizimin e tij.

Shqipëria ka prodhuar kohë pas kohe filozofë me rëndësi specifike për hapësirën shqiptare, si Branko Merxhani, Petro Zheji, Gjergj Sinani, Artan Fuga, Hysamedin Feraj, Elvis Hoxha etj., por qëndrimi i tyre ndaj njëri-tjetrit ka qenë kryesisht shmangës dhe armiqësor, deri në atë pikë sa të pamundësojë komunikimin cilësor në funksion të krijimit të një rrethi.

Në hapësirën shqiptare ka mbizotëruar ontologjia e transcendencës, ku emri dhe idetë e një filozofi kanë dominuar dhe superkoduar qëndrimin ndaj gjithë të tjerëve, zakonisht duke i zhvlerësuar këta të fundit, por jo në emër të së vërtetës. Diskutimet për të vërtetën i kanë lënë vendin debateve me relevancë thjesht personale.

Sot kemi shumë informacion dhe pak dije, shumë aktivitete dhe pak kuptim, shumë dilema dhe pak zgjidhje. Sot është urgjente dhe e domosdoshme të mendojmë, e për këtë na duhet krijimi i një rrethi filozofik; një rrethi që vlen më shumë se cilado pikë e tij, apo reflektimet solipsiste të cilësdo mendje individuale. Parakusht për ta krijuar këtë rreth është braktisja e menjëhershme e traditës së trashëguar.