Pato kthehet në Europë?

Corinthians duket se është gati ta shesë 26-vjeçarin dhe sipas shtypit italian në ndjekje të sulmuesit janë vënë tre skuadra të Serisë A, ashtu si edhe Arsenal, Tottenham dhe Liverpool.Alexandre Pato mund të kthehet në Europë në janar, ndërsa janë disa klubet që duket se kanë vënë në shënjestër ish-sulmuesin e Milanit. Braziliani është larguar nga Italia në 2013-ën për t’u transferuar te skuadra e Corinthians.

Megjithatë, lojtari ka gjetur formën e tij më të mirë pas huazimit te Sao Paulo. Corinthians duket se është gati ta shesë 26-vjeçarin dhe sipas shtypit italian në ndjekje të sulmuesit janë vënë tre skuadra të Serisë A, ashtu si edhe Arsenal, Tottenham dhe Liverpool.

Menaxheri i lojtarit, Riccardo Napolitano, beson se Pato është gati të shfrytëzojë një mundësi të dytë për të treguar se është në gjendje të bëjë diferencën edhe në futbollin e rëndësishëm. “Alexandre është kthyer dhe është i vendosur të konfirmohet si një nga sulmuesit më të mirë në botë”, ka thënë Napolitano. “Po vlerësojmë shumë opsione. Është një sulmues që vlerësohet shumë dhe është çliruar nga problemet muskulore që e kanë shqetësuar në vitet e fundit”. Në Itali janë të paktën dy ose tre ekipe që interesohen, por nuk mund të themi më shumë se kaq. E vetmja gjë që është e sigurt është se Pato do të jetë ylli i merkatos së janarit”.

Corinthians është gati ta lërë të lirë lojtarin për 20 milionë euro, por klubi brazilian mund ta shfrytëzojë interesimin e madh ndaj lojtarit për ta rritur çmimin e kartonit. Pato ka realizuar 26 gola në 59 ndeshje të luajtura në të gjitha kompeticionet për Sao Paulon gjatë 2015-ës. Takimi i fundit i sulmuesit në Brazil pritet të jetë këtë fundjavë, ndërsa nesër do të zhvillohet java e fundit e kampionatit. Sao Paulos i duhet një fitore kundër ekipit të Goias, që lufton për mbijetesë, për të siguruar një vend të katërt dhe kualifikimin në Kupën Libertadores./politiko/