Për herë të parë e pranon Vuçiq se Mitrovica e Veriut është e Kosovës

Presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiq e ka pranuar për herë të parë Mitrovicën Veriore si pjesë të Kosovës. Në një konferencë për media, Vuçiq ka dashur të hedhë fajin tek institucionet kosovare për vrasjen e Oliver Ivanoviq.

“Fajin për vrasjen e Ivanoviq e kanë institucionet e Kosovës sepse ato kujdesen për sigurinë në vend” ka thënë Vuçiq duke pranuar indirekt Kosovën si shtet përgjegjës për Mitrovicën e Veriut.

Ndër të tjera, ai ka thënë se me Thaçin e Haradinaj është më mirë të bisedohet, se sa të gjuhet me plumba.

President serb tha se nuk mund të pajtohet me të gjithë ata që ka dëgjuar të flasin në Mitrovicën e Veriut dhe tha se interesi më i rëndësishëm dhe më i madh i serbëve në Kosovë është ruajtja e paqes.

“Ne do të lejojmë që institucionet e Prishtinës, të cilat kanë juridiksion efektiv , të tregojnë rezultatet e hetimit të vrasjes së Ivanoviq, sepse zgjidhja është e nevojshme për shkak të frikës që njerëzit ndiejnë, por edhe të ardhmes. Ne duam të dimë emrat e autorëve dhe bosët, kushdo që janë ata, serbë, shqiptarë ose të huaj të tjerë. Ndaj tyre nuk do të ketë mëshirë” tha Vuçiq.