Përfshirja e SHBA-ve në dialogun Kosovë-Serbi, kjo është përgjigja e Ambasadës Amerikane

Ambasada amerikane: Jemi në bisedime me Mogherinin për mbështetje shtesë ndaj Kosovës

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, gjatë vizitës së tij të fundit në New York, ka kërkuar përfshirjen e SHBA-së në procesin e dialogut Kosovë-Serbi.

Thaçi në takimin me zëvendëspresidentin amerikan, Mike Pence kishte thënë se “përfshirja direkte e SHBA-së në fazë përfundimtare, është përcaktuese për arritjen e një marrëveshjeje përfundimtare, të zbatueshme për të dy palët”.
E një gjë të tillë e ka kërkuar edhe kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, i cili gjatë takimit me përfaqësuesen e lartë të BE-së, Federica Mogherini, ka ngritur çështjen e dialogut, me kërkesën që tash e tutje të jetë edhe një përfaqësues nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës në tavolinën e bisedimeve.

“Po, unë kam kërkuar që SHBA të jetë pjesë e dialogut me Serbinë”, ka thënë Haradinaj.

Ambasada amerikane: Jemi në bisedime me Mogherinin për mbështetje shtesë ndaj Kosovës

Në një përgjigje për gazetën “Bota sot”, Ambasada Amerikane në Prishtinë, ka bërë të ditur se SHBA është në bisedime me ekipin përfaqësueses së BE-së, Federica Mogherini, për atë se si mund të ofrojë përkrahje shtesë në fazën e ardhshme të dialogut.

Ambasada e ka cilësuar si hap përpara edhe integrimin e sektorit të drejtësisë, që filloi muajin e kaluar.

“Qeveria e Shteteve të Bashkuara vazhdon të mbështesë dialogun e lehtësuar nga BE-ja. Ne jemi duke diskutuar me ekipin e Përfaqësueses së BE-së, Mogherinit, për atë se si ne do të mund të ofronim më së miri përkrahje shtesë në fazën e ardhshme. Dialogu ka sjellë përfitime konkrete për qytetarët e Kosovës dhe i ka bërë institucionet e Kosovës më të forta. Integrimi i sektorit të drejtësisë, i filluar muajin e kaluar, është edhe një hap pozitiv përpara”, thuhet në përgjigjen e Ambasadës Amerikane.

Por, a do të duhej të përfshihej SHBA në këtë dialog dhe sa do të kishte ndikim për përparim të dialogut.

Hulumtuesi i lartë në Institutit Demokratik të Kosovës (KDI), Artan Murati, ka thënë se SHBA në mënyrë indirekte ka qenë e përfshirë në dialog që nga fillimi, derisa dihet qëndrimi pro Kosovës.

Murati: Përfshirja e SHBA-ve në dialog, lajm i mirë

Artan Murati – KDI

“Në njëfarë mënyre, që nga fillimi i dialogut Kosovë-Serbi në vitin 2011, Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë qenë të përfshira në proces, ndonëse jo në mënyrë të drejtpërdrejt. Ne e dimë që SHBA-të që nga fillimi, pra, qysh prej shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, vazhdimisht kanë shtyrë në drejtimin që Republika e Kosovës duhet të jetë e përfshirë në dialogun me Serbinë, për çështje që janë të rëndësishme për të dyja shtetet dhe rrjedhimisht edhe politikanët më të lartë të administratës amerikane në çdo takim, qoftë me Serbinë apo Kosovën kanë potencuar faktin që të dy shtetet duhet të jenë të përkushtuara në dialog dhe se SHBA e përkrah dialogun në mes të Kosovës dhe Serbisë”, ka deklaruar Murati për gazetën “Bota sot”.

Sipas tij, përfshirja direkte në dialog e SHBA-ve, do të ishte lajm i mirë për Kosovën, duke e ditur qasjen e tyre ndaj shtetit tonë, por që më pas Serbia mund të kërkojë përfshirjen e Rusisë, si aleat të tyre në këtë dialog, për t’u balancuar.

“Sa i përket përfshirjes direkte të SHBA-së në dialog, ky është një lajm i mirë për Kosovën, pasi e dimë qasjen amerikane ndaj shtetësisë së Kosovës, por pastaj druaj se edhe pala serbe mund të dalë me kërkesa tjera, në mënyrë që të kërkojë balancë. Në përgjithësi në Serbi ekziston një perceptim që SHBA-të janë pro Kosovës e kundër Serbisë dhe kjo pastaj do të mund ta hapte një kuti të Pandorës ta quaj ashtu, ku Serbia mund të kërkojë ta përfshijë Rusinë në dialogun mes Kosovës e Serbisë”, ka vlerësuar ai.

Murati ka thënë që në mënyrë që të përfshihet edhe Rusia apo ndonjë shtet tjetër nga Serbia, më mirë është që dialogu të vazhdojë të zhvillohet me ndërmjetësim të BE-së dhe varet nga SHBA-të nëse duan të jenë pjesë e dialogut.

“Andaj mendoj që dialogu është mirë të zhvillohet me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian dhe normalisht të jenë të informuara gjatë gjithë kohës dhe të jenë pjesë aktive në proces, mirëpo sa i përket një ulëse apo marrja e statusit si palë në dialogun Kosovë-Serbi, fillimisht duhet të shihet interesimi i SHBA-ve, a duan apo jo të jenë pjesë e dialogut dhe pastaj edhe realitete tjera në Bashkimin Evropian, pse jo edhe Serbinë, edhe pse nuk ka nevojë të pyetet Serbia për një gjë të tillë, vetëm se Serbia pastaj mund të kërkojë që të përfshijnë dikë tjetër për t’i përkrahur me dialog”, ka thënë Artan Murati nga KDI për “Bota sot”.

Daku: BE nuk është e interesuar për marrëveshje historike Kosovë-Serbi

Selim Daku – KCD

Ndërsa, drejtori i Qendrës Kosovare për Diplomaci Selim Daku, në një prononcim për gazetën “Bota sot”, uron që kjo dëshirë e Haradinajt të konsiderohet e tillë edhe nga SHBA-të.

“Kryeministri Haradinaj ka shprehur një dëshirë të arsyeshme. Uroj që si e tillë të konsiderohet edhe nga ana e SHBA-ve. Kjo për shkak të eliminimit të situatave të pakëndshme nga një mosgatishmëri eventuale e tyre”, është shprehur ai.

Daku ka vlerësuar se që nga fillimi i dialogut Kosovë-Serbi me ndërmjetësim të BE-së, nuk janë sjellë rezultate të kënaqshme, pasi BE nuk është e interesuar të arrihet ndonjë marrëveshje historike ndërmjet të dyja shteteve.

“Prej nisjes së tij në mars të vitit 201, si dialog teknik dhe shndërrimit në dialog politik në tetor të vitit 2012, procesi i dialogut në mes të Kosovës dhe Serbisë është tejzgjatur dhe nuk ka sjellë rezultate të kënaqshme. Arritja e rreth 20 marrëveshjeve mund të cilësohet si progres, por jo edhe si sukses për shkak të çalimit në respektimin e tyre nga ana e Serbisë. Bashkimi Evropian, si organizatë është mjaft komplekse dhe jo përherë zgjedhë qasjen konkrete të zgjidhjes së çështjeve. Nga një analizë e thjeshtë, mund të konkludojmë që BE-ja më shumë është e interesuar në ruajtjen e një status quo-je, sesa në ofrimin e alternativave konkrete që çojnë në arritje dhe respektim të marrëveshjeve historike ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Pra, ajo vetëm po menaxhon një proces shumë të rëndësishëm, por të brishtë dialogu të cilit nuk po i dihet përfundimi”, ka vlerësuar Daku.

Përfshirjen e SHBA-ve në dialog, ai e sheh si mundësi për të arritur marrëveshje të rëndësishme dhe si garantues të sjelljeve serioze të palëve në këtë dialog.

“Kryeministri Haradinaj përfshirjen e SHBA-ve në dialog mund ta shoh si tjetërsim të procesit që në intervale më të afërta kohore mund të dërgonte në arritje të marrëveshjeve të rëndësishme. SHBA-të, procesit të dialogut, pos seriozitet do t’i ofronin edhe një efikasitet më të lartë, po ashtu do të shërbenin edhe si garantues serioz që do të impononte sjellje serioze të palëve në dialog, karshi respektimit të marrëveshjeve të arritura”, ka deklaruar Selim Daku për gazetën “Bota sot”.

Shpërndaje.