Pse shkolla duhet të ketë psikologun?

Shkruan: Lon Laska, Profesor Universitar

Pse shkollat duhet të ketë psikologun? Para se të përgjigjemi në këtë pyetje, një gjë duhet të dihet, psikologu shkollor nuk jep receta, as udhëzime për përdorim të tabletave. Psikologu njihet me dukurit dhe rastet psikologjike, vëzhgon, përcjell, anketon, vlerëson, ndërhyn, këshillon, ofron shembuj të ndryshëm dhe propozon alternativa.  Misioni i psikologut është lehtësues i nxënësit në procesin e të mësuarit, kalimin e gjendjeve dhe situatave psikoemocinale, në ndihmën për tejkalimin e frikës, ankthit dhe pasigurisë tek nxënësit në situata e momente të caktuara. Përgjigja e kësaj pyetje, do të mundohemi ta sqarojmë me atë se, çfarë shërbime psikologjike dhe në çka fokusohet psikologu shkollor. Psikologu shkollor fokusohet në promovimin dhe zhvillimin mendor e fizik të nxënësve si dhe në ndihmesën dhe mbështetjen që jep për rritjen e cilësisë së procesit të mësim, nxënies dhe mësimdhënies. Se sa i rëndësishëm është zhvillimi mendor e fizik i nxënësve, rritja e cilësisë së procesit të mësimit, nxënies dhe mësimdhënies, nuk do analizë nga fakti se këto janë “ekzistenca dhe jeta e një shkolle”. Një nder detyrat e psikologut është këshillimi. Psikologu i shkollës, këshillimin e realizon përmes mbledhjeve me anëtarët e stafit e mësimdhënësve të shkollës dhe komunitetit të prindërve për të identifikuar dhe parandaluar probleme të ndryshme si dhe për të programuar ndërhyrje dhe shërbime të nevojshme.

Gjitha këto mund t’i arrin në bashkëpunim me personelin administrativ dhe pedagogjik të shkollës, shërbime këto që lidhen me vlerësimin e rezultateve të nxënësve, me orientimin e karrierës dhe me zhvillimin social dhe personal të nxënësve, nëpërmjet:

  • Sigurimit të shërbimeve të drejtpërdrejta për fëmijët dhe nxënësit në nevojë..
  • Vlerësimit dhe interpretimit të rezultateve të nxënësve, të stafit pedagogjik të shkollës dhe të prindërve.
  • Shërbimeve këshillimore dhe trajnuese për stafin e shkollës dhe prindërit.
  • Konceptimit dhe realizimit të shërbimit psikologjik në përputhje me politikat e zhvillimit të arsimit pasuniversitar dhe të institucionit arsimor.

 

Çfarë duhet të ketë parasysh psikologu gjatë hartimit të planit ?

Puna e psikologut të shkollës është një punë “autonome”, dhe mbi këtë ai e harton edhe planin e punës dhe veprimtarive në përputhje me nevojat që ka shkolla për shërbimet psikologjike. Planin e punës e harton duke u mbështetur edhe nga mjedisi social ku ai vepron, nga fakti se shkolla ka nxënës të cilët  vinë nga familje të ndryshme, zona dhe rajone të ndryshme, jo vetëm që i bartin këto karakteristika psikologjike edhe në shkollë, por gjitha këto reflektohen në shkollë. Kjo vërehet edhe tek nëmësit në sjelljet, shprehitë, qëndrimet dhe edukatën  e tyre. Pikërisht kjo përbërje e nxënësve e obligon edhe psikologun të përdor forma pune që t’i përshtatet këtyre aspekteve, e që janë shumë të rëndësishme për një punë efektive.

Gjithashtu, psikologu i shkollë në punën e tij duhet t’i kushtoj rëndësi kategorisë së nxënësve në nevojë, fëmijëve me shqetësime familjare, shëndetësore, fëmijëve  jetimë, të braktisur, nga familjet e varfra, fëmijët që kanë përjetuar dhunë psikologjike, fizike, stres, depresion etj. Poashtu, psikologu i shkollës i ndihmon nxënësit në tejkalimin dhe mposhtjen e vetmisë, frikës, dilemave, menaxhimit jo të mire të kohës, eksperimentimit me drogën e alkooli, ndonjë mendim negativ rreth vetëvrasjes, si dhe shqetësimet rreth seksualitetit etj.

Cilat janë disa nga vështirësitë e psikologut të shkollës?

Sa është e vështirë për një psikolog shkollor të sigurohen gjitha këto aspekt, si ato të mjedisit social ku vepron, të nxënësve që vinë nga familje, zona dhe rajone të ndryshme, kategorisë së nxënësve në nevojë, nxënësve me shqetësime të ndryshme etj. Pra, nga e siguron “lëndën e parë” të punës së tij, kur dihet fare mire se psikologu nuk merr pjesë drejtpërdrejt në procesin mësimor, nuk hyn e del nga klasa si mësimdhënësit 5-6 herë brenda ditës, nga fakti se nuk jep mësim. Po ashtu, ai nuk është pjesë e punës edukatiov-mësimore siç janë mësimdhënësit çdo ditë.  Madje, ka mësimdhënës të cilët mendojnë se kanë njohuri të mjaftueshme për t’u marr me këto probleme, duke aluduar në përgatitjen profesionale dhe përvojën e tyre si mësimdhënës. Si mund të tejkalohet ky perceptim i mësimdhënësve, të kuptojnë se ata nuk mund të ushtrojnë dhe të din punë e psikologut, nga fakti se puna e psikologut është diçka specifike dhe kërkon shumë njohuri shkencore.

Dihet se nga mësimdhënësi kërkohet rezultat i matshëm në programin mësimor-lëndën mësimore, qoftë: gjuhë shqipe, matematikë, kimi, fizikë, gjeografi, histori, teknologji informatike, edukimi fizik dhe shëndetësor etj. Ndërsa, psikologut shkollor nuk i kërkohet asgjë e matshme, por diç specifike, siç është mirëqenia e nxënësve gjatë procesit mësimor, mirëqenia shpirtërore dhe mendore, motivimi i dhe të qenit i pastresuar i nxënësit në shkollë dhe jashtë saj. Mendja, syri i psikologut sheh ato fijet delikate të padukshme që të tjerët nuk mund t’i shohin dhe mund t’iu ik pa i vërejtur fare. Cilat janë mjetet apo instrumentet e një psikologu, pasi nuk është pjesë e drejtpërdrejt e procesit edukativo-mësimor? Anketat dhe pyetësorët, janë instrumentet më të fuqishme për të zbuluar veçorit e dukurit psikosociale, po ashtu konsultat dhe bashkëpunimin me udhëheqësit e shkollës dhe mësimdhënësit, si dhe bisedat, temat, debatet dhe diskutimet nëpër klasa ku psikologu i shkollës merr pjesë. Takimet në raportet e punës së drejtorisë dhe analiza në këshillat e mësimdhënësve, aktiveve profesionale etj.

 

Ndihma që mund të ofron psikologu i shkollës, mësimdhënësve, nxënësve dhe prindërve

 

Psikologu i shkollës, ndihmon këshillin e mësimdhënësve dhe zhvillon konsultime me ta për mbarëvajtjen e procesit mësimor edukativ. Kur është e nevojshme referon përpara këshillit të mësimdhënësve për rastet tipike që janë trajtuar. Koncepton ndërhyrje dhe strategji veprimi aty ku e gjykon të arsyeshme si dhe bën rekomandime të përshtatshme. Ndihmon në mënyrë të veçantë në zhvillimin e veprimtarive edukative që lidhen me sjellje dhe etikën e nxënësve. Merr pjesë dhe ndihmon në hartimin dhe zbatimin e planit mësimor-edukativ të shkollës, zhvillon konsultime me mësuesit dhe prindërit, si dhe merr pjesë në analizat vlerësuese të veprimtarisë mësimore edukative në bazë klase, niveli dhe shkolle.

 

Psikologu i shkollës, ndihmon nxënësit që kanë vështirësi në mësime, probleme përshtatjeje me ndryshimin e klasës, kalimi nga një nivelit në tjetrin apo probleme të natyrave të ndryshme. Psikologu i shkollës zhvillon seanca psikologjike me nxënës të veçantë për probleme të caktuara. Nëse, e konsideron të arsyeshme lidhet me struktura jashtë shkollës për të siguruar një trajtim më të specializuar, në raste të tilla duhet të informohen prindërit dhe merr aprovimin e tyre për atë që bënë. Gjithashtu, duhet informon drejtorin e shkollës për atë çka duhet të dijë dhe të ruajë konfidencialitetin (fshehtësinë).

 

Në veprimtaritë këshilluese në grup, psikologu së bashku me dy ose më shumë nxënës, organizon seanca në mjediset e qendrës së shërbimit psikologjik për të zgjidhur probleme të caktuara. Gjatë ofrimit të këtij shërbimi psikologu duhet: Të bëjë rekomandimet e nevojshme; të interpretojë rezultatet e vlerësimit dhe të përcaktojë marrëdhëniet që ekzistojnë midis rezultateve dhe arritjeve të objektivave mësimore-edukative; të sigurojë instrumente të vlerësimit individual; të vëzhgojë nxënësit gjatë procesit mësimor –edukativ; të marrë në konsideratë tërësinë e informacioneve që lidhen me problemin; vlerësimit psikoedukativ përmban të dhëna për sjelljet e nxënësve gjatë zhvillimit të procesit mësimor-edukativ.

 

Qëllimi kryesor është identifikimi i faktorëve që ndikojnë në përparimin e nxënësve dhe realizimin e procesit mësimore edukativ. Ky informacion përdoret për t’ju dhënë përgjigje problemeve të shkollës, të nxënësve, mësimdhënësve, prindërve. Me qëllimin që më mirë, të kemi një zhvillimin mendor e fizik të nxënësve, rritjen e cilësisë së procesit të mësim, nxënies dhe mësimdhënies, gjë të cilën e synojmë si shoqëri.

 

Nuk dua të jem subjektiv, por këtë e them për shkak të natyrës së profesionit specifik, se psikologu shkollor, duhet të bëjë që të tjerët t’i shkojnë  “mbrapa”, mësimdhënësit, nxënësit, prindërit, në kuptimin më të mire që prezenca e tij të jetë ndihmuese dhe lehtësuese në çdo moment dhe rast. Vetëm kështu ai mund të siguroj statusin dhe respektin e profesionit të tij sa specifik aq edhe delikat, dhe të bëhet i vlefshëm për institucionin ku punon dhe vepron./GazetaLiria/

Shpërndaje.