Realizim i dobët, busti i Adem Jasharit në Prekaz dhe shtatorja në Malishevë

Shkruan: Ilir Muharremi

Përveç shtatorëve të shëmtuara kemi edhe një bust sërish bastardues me defekte estetike kushtuar heroit tonë të madh Adem Jashari i cili ndodhet para kullës së Jasharajve. Emri i skulptorit nuk ndodhet askund në Bust. Busti u punua si tendencë e ringjalljes së imazhit të heroit të madh, e në esencë zbehë komplet dhe fyen heroin tonë me defekte amatoreske, pothuajse një autodidakt do ta kishte punuar më mirë ose do ta stilizonte.

Skulptori para se të filloj të krijoj figurën e njeriut është mirë të skicoj në letër portretin e tij nga një fotografi sa më origjinale nëse bëhet fjalë për personazh të njohur historikisht. Në rastin e Bustit, madhësia është me proporcione natyrale, kurse Busti në fjalë është tejet i madh. Duhet ta dinë skulptorët  se koka shërben si bazë e modelit konkretisht nga mjekra e deri te maja e kafkës andaj, duhet ta respektojnë origjinalitetin e kokës sepse gjatë gjithë procesit të krijimit anatomik shërben si bazë siç u cek në hyrje të tekstit.

Shpesh artistët amatorë i kapin gabimisht proporcionet mes kokës dhe trupit nuk i respektojnë vijat rregulluese p.sh. vertikale dhe horizontale si ndarje  simetrike dhe matje të saktë anatomike proporcionale në harmoni me të gjitha pjesët e trupit. Në fillim duhet t’i shtrijmë vijat e diagramit, kuptohet me dorë të lirë duke krijuar vijën e gjatë vertikale të tërhequr e cila pastaj i lidh dhe bashkon me vijën e shkurtër në maje dhe fund ose te busti kjo është më e shkurtër poshtë kraharorit. Kuptohet  rritet figura sepse është fjala për skulpturën.  Skulptorët duhet ta respektojnë këtë, se vija duhet të jetë më e gjatë se modeli sikurse te vizatimi dhe kjo matje le të minimizohet njëherë në letër sepse ajo shumë më lehtë rritet, pastaj  direkt ta punojmë në material të butë.

Fig. Busti i Adem Jasharit para kullës së Jasharajve

Figura ndahet përgjysmë, pastaj vazhdon në dy nga dy pjesë. Nëse fillohet të punohet koka, duhet krijuar një  lartësi në boshtin vertikal, pastaj shënohet syri në maje të ballit që lidhet me rrënjët e flokëve dhe  ndahet në treshë: distancën, largësinë në mes kësaj pike dhe asaj fillestare e cila lidhet me mjekrën. Kështu fitohet pozicioni i mjekrës nga maja, lart e deri në fund , poshtë, baza e hundës, pastaj vijojnë themelet e vetullave dhe balli i limituar. Nëse krijohet goja atëherë limiti i buzës së epërme dhe të poshtme i bie ndërmjet hundës dhe vetullave që fiksojnë gjerësinë e veshëve. Goja te Busti është e qitur jashtë fare, skulptori nuk e përfillë këtë matje.  Duhet të kihet kujdes se koka nga përpara dhe pjesa saj e pasme, gjithmonë kur vështrohet nga shikuesi varet nga cili kënd e shikon skulpturën, është e prirur në lëvizje mbrapa dhe pas apo ngritja e mjekrës, Andaj, kur krijohet veshi duhet ulur paksa.

Busti i Adem Jasharit në këtë rast është në profil tej mase i ekzagjeruar, detajet e fryra pa matje të sakta nga flokët e deri te mjekra, veçanërisht pjesa e mjekrës është e qitur jashtë siç u cek merr pamje deformimi, defekt fizik dhe dihet që në realitet heroi nuk e kishte këtë defekt. Imazhi i heroit na del si një person me të meta fizike.

E sakta është që skulptori ta krijoj rrethin i cili e zgjeron kafkën duke marrë formën e elipsës. Veshi vendoset prapa vijës që e ndan kokën në dysh: në pjesën e përparme dhe atë pas kokës. Kurse figura e Jasharit ka veshët e ngjitura mezi i vërehen, duket si portret i shurdhër. Pjesa e ballit te busti është shumë e ngushtë, kjo si arsye e kapelës, por jo nëse e punojmë me pamje frontale (të ballit), gjerësia e hundës fitohet me dy vija të lëshuara poshtë nga këndet e brendshme të syve, por jo të jetë teje e shkurtër siç e kemi në bust, por zgjatet më poshtë, dhe nga kjo përfitohet edhe gjerësia e gojës e cila fitohet me dy vija të tërhequra poshtë nga kufiri syrit. Kjo krijon simetrinë e saktë të figurës. Kokërdhokët e syve në bust as që vërehen dhe vështirë t’i shtrijmë dy vija vertikale. Nëse analizojmë supet e bustit janë më të gjëra në raport me qafen e kokën, kurse te poshtë vjen e ngushtohet.

 Dritë-hija në skulpturë

Kjo është shumë e rëndësishme ngaqë e pasuron këtë art tredimensional. Në momentin e dritës portreti i heroit krijon hije të cilat e plakin më shumë dhe e deformojnë, si duket këtë nuk e kishte parasysh skulptori. Para se ta ekspozonte veprën është dashur ta sprovonte nën dritën e fortë me qëllim të rishfaqjeve të hijeve mbi fytyrë. Tendenca për krijim të imazhit dramatik dështon, sepse pozicioni duket sikur rri te berberi me kokë pak të ngritur me qëllim t’ja ruaj mjekrën ose prerë flokët. Asnjë pjesë e linjave nuk është estetike, vetëm përshkulim dhe rrëmujë vijash të pakontrolluara. P.sh nofulla është jashtë përmasave të fytyrës, relief ekzagjerues a në realitet nofulla dhe mjekra harmonizohen me mollëzat, hundën dhe buzët.

Nofulla e gabuar dhe mjekra krijojnë disharmoni dhe disproporcion. Andaj, skulptori duhet të ketë kujdes sepse busti ka arrit një efekt të kundërt si rezultat i defekteve anatomike. Fytyra duhet ta ketë një simetri të pastër dhe duhet veçuar mirë detajet, muskujt të cilat fare nuk i  vërejmë në bust. E tëra devijon  për shkak rritjeve të elementeve të figurës, por edhe rritja shkon me harmoni me pjesë siç u përshkrua më lartë, vetëm se dallon vështrimi optik nga toka nëse kemi në një distancë tejet të lartë me bustin, p.sh kapela ose koka, por kjo krahas me krahët është shumë e madhe, dhe krijon ekzagjerim.

Nëse nga toka në një distancë tejet të lartë shikojmë një portret, pjesa në perspektivë duhet të rritet paksa, por jo të ekzagjerohet sikurse rasti në fjalë konkretisht koka dhe nofulla, ndonëse nofulla më e madhe shumë se pjesa e sipërme e kokës e cila ndodhet në perspektiv.

Pse dreqin ndodhin këto krijime të zbehta, fyese ndaj figurave heroike, dhe jo vetëm rasti i Ademit, por kemi shumë heronj të cilët u fyen nëpërmjet shtatoreve dhe busteve të ndryshme të krijuara nga njerëzit amator. Këto imazhe të turpshme tredimensionale nxjerrin vetëm humor, satirë, komedi, tallje, ndonëse sikur të ishin vepra individuale të skulpturuara vetëm në atelietë e artistëve. Por, jo shtatoret dhe bustet të cilat zënë vend në sheshe publike duhet të jenë të mirëfillta e jo qesharake siç kemi shumë tepër shumë. Këto buste dhe shtatore duhet rrëzuar sa më parë.

Unë nuk e fyej punën e skulptorit, përkundrazi e respektoj sepse mesiguri ai ka dhënë maksimumin e tij për këtë bust, sikur edhe të tjerët që krijuan shtatore qesharake, ata i besuan “talentit të tyre”, dhe kujtuan se kapën kryeveprën. Euforinë e kuptoj, por ndërgjegjen dhe sinqeritetin ndaj vetes të cilat nuk i kanë skulptorët nuk mund t’i kuptoj.

Ky bust nuk mund të quhet bust e as art e aq më pak bust i Adem Jasharit, sepse heroi jonë nuk e meriton një të tillë. Është turp i madh dhe nuk e dijë në cilën kohë janë krijuar këto buste ofenduese ose qesharake, madje as në artin Dadaist. Ky bust vetëm me art nuk ka të bëjë, madje s’mund të them që është i tejkaluar sepse nuk është asgjë dhe çuditem si arriti të zë vend aty ku është ende. Heroi mund të paraqitet edhe pa plumba, pa revole, pa pushkë, por nuk guxojmë t’ja prishim fytyrën, ose t’ja zbehim karakterin, të mos ngjajë më në veten e tij. Ky lloj mungese kreativitet  nuk mund ta bind askënd që të besoj në figurën e heroit tonë të madh. Nëse tentohet të përsëritet një bust i ri për heroin, atëherë është mirë të merren si shembuj bustet e metropoleve evropiane, veçanërisht i shkollave Italiane të cilat edhe sot prodhojnë skulptor më të mirë në botë.

Shtatorja e Adem Jasharit në Malishevë shumë e zbehtë

Si duket heroin tonë ende nuk ka arritur askush ta shkrij në bronz ose ta gdhend në guri ashtu siç i ka hije në të vërtetë. Në Malishevë, konkretisht në qendër qëndron shtatorja e heroit tonë legjendar Adem Jashari e punuar nga artisti Ainan Aliaj. Pozicioni i turpit i cili merr pamjen e gaditu, sikurse pranë tij parakalon një komandant tjetër e vet Ademi është ushtar, të jep përshtypjen kjo shtatore e punuar dobët artistikisht. Duke filluar nga koka e cila është tejet e madhe në proporcion me gjymtyrët tjera të trupit, dhe dihet gjithmonë që kafka e padefinuar në profil, merr pamjen e elipsës, bëhet fjalë për kafkë të papërfudnuar.

Nëse vazhdojmë matjet e tjera të kësaj shtatore do vërejmë duart tejet të shkurtra, por me shuplakë të zgjatur. Pjesa proporcionale ndërmjet gjymtyrëve nuk është saktë, dhe skulptori duhet ta dijë se proporcionet dhe harmonia luajnë rol të madh në skulpturë. Skulptori kurrë bënë matjen e lartësisë së trupit, merr shtatë koka të shtatores duke i vendosur në pozicion vertikal, për ta fokusuar gjatësinë, kurse në shtatore krahas me gjatësinë e kokës nga mjekra deri te flokët, trupi na del shumë i vogël, por me gjoks të fryrë, frymëzim nga skulpturat e pas luftës së dytë botërore. Kjo është e pamundur nëse marrim saktësinë proporcionale të gjymtyrëve. Heroi duhet të na del më i gjatë në raport me gjatësinë e kokës të cilën e shohim momentalisht në shesh. Da Vinçi matjen e trupit e shpjegoi shumë mirë te “Njeriu Vitruvian”, në të cilën mesin e trupit e fokusoj te kërthiza, dhe matjen e trupit e përpjesëtoj përmes shputës së dorës dhe parakrahut. Si do që të jetë rasti në fjalë nuk është proporcional. Edhe përmes shtrirjeve të duarve në pozicion horizontal, me matje, trupi ka mu atë gjatësi. Këtu prapë edhe kjo na devijon.

Ana estetike, është shumë e shëmtuar e vrazhdët, veçanërisht gjestet dhe stilizimi i cili tenton të nxjerr ca lakime, vija, por janë të kota të vakëta. Duket sikur pastrim balte apo modelim mbi trupin e shtatores pa fare estetik. Nuk ka lakime të kostumit mbi të cilin depërton dritë-hija, por vetëm heqje dhe heqje balte të njëjta në çdo anë të trupit. Unë e respektoj punën e skulptorit, por veprën e kritikoj sepse nga flokët e deri te këpucët nuk vërej asnjë element realist. Ndoshta edhe nuk është shtatore e përfunduar, por gjysmaket nuk bënë të zënë një vend të tillë.

?

Fig. Shtatorja e Adem Jasharit në Malishevë

Andaj, jam shumë i dëshpëruar me këso shtatoresh që vërtetë fyejnë figurën e heroit. Jo vetëm kjo por, të gjitha deri më tani asnjëra nuk ka arrit ta paraqesë mu ashtu si ishte në të vërtetë. Ndoshta duhet të hapet një konkurs ndërkombëtar, ku mund të aplikojnë edhe artistë botëror. Në fillim t’i prezantojnë bucetat, e komisioni mos të jetë në numër vetëm prej 5 anëtarësh. Minimum prej 10 dhe secili të votoj në formë të fshehur. Sepse vërtetë jemi duke u tall pa mëshirshëm me figurat e famshme që i kemi. Duhet të jemi të ndërgjegjshëm, artistët dhe vetë njerëzit e rëndomtë. Artistët mos të lakmojnë vetëm ta ngritin shtatoren me nënshkrimin e tyre pavarësisht dukjes së palaços apo defekteve shkollore.

Të kemi mëshirë së paku ndaj figurave historike dhe njerëzve që vërtetë dhanë çdo gjë për këtë vend.

Shpërndaje.