Rektori Buza: Universiteti i Gjakovës pa asnjë ndërhyrje politike

Qeveria e Kosovës ka marrë vendim për themelimin e tri Universiteteve Publikë në Kosovës, në mesin e të cilave është edhe Universiteti i Gjakovës “FEHMI AGANI”.
Për të marrë njohuri mbi zhvillimet dhe rrugën që ky Universitet po ndjekë Gazeta Liria realizoi intervistë me Rektorin e Universitetit “FEHMI AGANI” prof.dr.Shaban Buza.

Gazeta Liria: Së fundmi ju jeni zgjedhor Rektori i Universitetit të Gjakovës, cilat janë synimet e planit tuaj për këtë Universitet?

Prof.dr. Shaban Buza: Synimi është që UGJFA të shndërrohet në një universitet atraktiv, me programe studimi bashkëkohorë të krahasueshëm me ato të rajonit dhe pse jo edhe të Evropës, me personel akademik të përkushtuar dhe frytdhënës, me studentë kompetentë, të cilët pas diplomimit do të jenë konkurentë në tregun e punës jo vetëm në vendin tonë. Besoj se një Universitet të tillë e meriton ky vend!

Gazeta Liria: Ju si shumica e profesorëve dhe udhëheqësve të Universiteteve të reja keni qenë pjesë e UP-së, sipas jush cili është dallimi në mes UP-së dhe Universitetit të Gjakovës dhe a mund të shërbejë UP-ja si model për UGJFA-në?

Prof.dr. Shaban Buza: Sigurisht që shumica kemi qenë nga UP-ja, sepse ajo ka qenë vatra e Kosovës që ka krijuar kuadro dhe e ka mbajtur barrën e arsimit të lartë. Dhe ende ne thirremi tek UP-ja, si një model, përkundër vështirësive nëpër të cilat po kalon. Sepse, ndërrimi i gjeneratave, përqafimi i modeleve evropiane bashkëkohore të arsimit të lartë, duket të kenë qenë një barrë e rëndë që ka krijuar boshllëqe dhe huti të cilat janë munduar të plotësohen ose evitohen me metoda dhe veprime jo “të përshtatshme” për sistemin e arsimit të lartë. Por këtij modeli do t’i shtojmë përvojat më të mira të Universiteteve evropiane.

Gazeta Liria: Në momentin kur jeni zgjedhur Rektor në UGJFA, ka patur disa pakënaqësi nga ana e stafit dhe studentëve, si qëndron gjendja aktualisht ?

Prof.dr. Shaban Buza: Kishte disa pakënaqësi në fillim, që si duket ishin “grumbulluar” dhe “më pritën me këmbët e para”, siç thot populli. Por, shumë shpejtë u kuptua qëllimi i konkurimit tim, synimet e mia si rektor i zgjedhur dhe ato u shndërruan në një qasje krejtësisht tjetër pozitive. Unë përgëzoj personelin dhe studentët për bashkëpunimin drejt krijimit të një ambienti tërësisht akademik në Universitetin tonë, mision për të cilin kanë sakrifikuar shumë e shumë gjenerata arsimdashëse.

Gazeta Liria: Ku qëndron UGJFA-ja me kuadro Universitare, a keni staf të mjaftueshëm akademik dhe administrativ për të i kryer obligimet me përgjegjësi ?

Prof.dr. Shaban Buza: Nuk qëndron keq, sepse për këto tre vite themelimi kemi 37 mësimdhënës me orar të plotë, nga të cilët dy Prof. Dr.; një Prof. Asoc. Dr ; 17 Prof. Asis. Dr. Dhe të tjerët ligjerues dhe asistentë, plotësuar edhe me rreth 60 mësimdhënës të angazhuar me kohë plotësuese. Edhe personeli administrativ është mjaft i përkushtuar. Këto fakte bëjnë që veprimtaria në UGJFA të jetë e përgjegjshme. Ne do zgjerohemi sipas nevojës së tregut për programe studimore dhe mundësive buxhetore.

Gazeta Liria: Z. Buza, si qëndron UGJFA-ja financiarisht dhe sa ju mbështet MASHT-i në këtë fushë ?

Prof.dr. Shaban Buza: MASHT na mbështet brenda politikave financiare të planifikuara. Kemi nevojë edhe për më tepër, se jemi rritur shpejtë, por Kosova ka tanime shtatë Universitete publike, që për buxhetin tonë paraqet një barrë. Në UGJFA ne po mendojmë për krijimin e Institutit për bashkëpunim me ekonomi/industri nga mund të krijoheshin të ardhura vetanake.

Gazeta Liria: Dijmë që UGJFA-ja si dhe universitetet tjera do të kalojnë në procesin e ri-akreditimit të programeve a mendoni që plotësoni kriteret për riakreditimit ?

Prof.dr. Shaban Buza: Jeni të njoftuar me kriteret e (ri) akreditimit të cilat i ka parashtruar AKA. Ne po veprojmë bazuar në to, dhe mund t’u them se nuk po ja kalojmë keq. Jemi kualifikuar me shumicën e programeve studimore për ri-akreditim dhe pas nje shkrirje të dy programeve studimore, edhe me një program studimor për akreditim. Edhe ne kemi vështirësi tek një program, por përmes marrëveshjeve me Universitetet kombëtare dhe ato ndërkombëtare do ta tejkalojmë edhe këtë sfidë.

Gazeta Liria: Qytetarët e Gjakovës dhe rajonit janë të interesuar të dijnë se cfarë programe të reja studimi do të ketë universiteti “Fehmi Agani” në vitet e ardhëshme, a keni menduar për programe të reja studimi?

Prof.dr. Shaban Buza: Po, jemi duke menduar seriozisht. Prandaj, po bisedojmë me shumë qytetarë, me institucione përgjegjëse, palët e interesit, në një formë po e bëjmë hulumtimin e opinionit se çfarë i duhet regjionit të Gjakovës, Dukagjinit dhe Kosovës. Do të përqendrohemi në programe studimore që nuk i kanë universitetet e afërta dhe të tjerat në Kosovë, sepse duam të tërheqim studentë nga të gjitha viset. Kemi një strategji të qartë zhvillimi që universiteti t’i konsolidojë programet ekzistuese, duke menduar edhe për programe të reja atraktive që nuk i kanë Universitetet tjera në Kosovë, gjithmon bazuar në kërkesat e tregut dhe mundësinë e punësimit të të diplomuarve.

Gazeta Liria: Cfarë keni ndërmarrë për të inicuar bashkëpunim ndërkombëtarë, përmes projekteve, për avancim dhe shkëmbim të stafit akademik dhe administrativ?

Prof.dr. Shaban Buza: Javën e ardhshme do e fillojmë një projekt ndërkombëtar financuar nga BE në kornizat e ERASMU+, ku bartës është Universiteti Staffordshire nga Londra, dhe ne sëbashku me disa universitete dhe IAL të Kosovës jemi përfitues. Edhe në katër projekte tjera të të njëjtes kornizë ERASMUS+ për ngritje kapaciteti (KA2) jemi në konkurencë partneriteti. Bartësitë janë IAL shumë kompetentë nga Finlanda, Gjermania dhe Italia. Kjo do të na mundësojë shkëmbim dhe trajnime për personelin akademik, që do të vendoste ura të reja komunikim dhe bashkëpunimi duke hapur rrugën për avancim të personelit.

Gazeta Liria: Dyshohet se në shumicën e Universiteteve Publike në Kosovë ka ndërhyrje të partive politike në përzgjedhjen e stafit administrativ, akademik, orientim të zhvillimit apo dicka të tillë, si qëndron UGJFA-ja në këtë raport?

Prof.dr. Shaban Buza: Mund të ju them me plotë kompetencë se për sa jam unë në krye të këtij Universiteti nuk ka pasur kurrfarë ndërhyrje. Cilado vizitë që ka qenë në Universitetin tonë ka qenë në funksion të përkrahjes në punën tonë dhe avacimit të pozitës së institucionit.

Gazeta Liria: Z. Rektor, si qëndron bashkëpunimi me Parlamentin Studentor dhe Këshillet Studentore?

Prof.dr. Shaban Buza: Nga ana ime është shumë i mirë! Ata e bëjnë punën e tyre, rektorati të veten duke u munduar të Ju ndihmojmë brenda mundësive.

Gazeta Liria: Sa do të i përkrahni projektet përfaqësuesve të studenteve?

Prof.dr. Shaban Buza: Kemi ndihmuar për përfaqësim në takimet e BE-së rreth konsultimeve për projektet ERASMUS+ dhe mundësinë e përfshierjes së studentëve në mobilitet brenda kësaj kornize, në mbulimin e shpenzimeve për këto takime dhe takimet që do të pasojnë në Tiranë në nivel ndërkombëtar. Kam dëshirë studentët të kenë zërin dhe rolin e tyre në përzgjedhjen e studentëve që do t’i përfaqësojnë në këto aktivitete. Dhe jemi të gatshëm të ndihmojmë.

Gazeta Liria: Cili është mesazhi juaj për studentët dhe stafin akademik të Universitetit “Fehmi Agani”?

Prof.dr. Shaban Buza: Studentët janë ata që e krijojnë imazhin e institucionit, ata që me mësimnxënien e tyre pasqyrojnë rezultatet e metodologjive të mësimdhënies nga personeli akademik. Këto janë dy elemente të ndërlidhura dhe të pandara nga të cilët varet kompetenca e fituar e studentit nga aftësia e profesorit apo asistentit për të ofruar dijen dhe përvojen përmes metodologjive bashkëkohore. Kjo është e ardhmja, jo vetëm e UGJFA-së, por e secilit institucion të arsimit të lartë! Mesazhi është i thjeshtë, studentët duhet të jenë kërkues për profesorët e tyre, të cilët domosdoshmërisht do të avancohen që të jenë të suksesshëm dhe faqebardhë para studentëve dhe kolegëve të tyre./gazetaliria.com/