Reshjet e dëborës vështirësojnë qarkullimin e automjeteve në Rrugën e Kombit

Si pasojë e motit të keq me reshje shiu dhe dëbore, në segmente të ndryshme rrugorë ka pasur rënie gurësh dhe inertesh, si dhe në disa akse ka prezencë të dëborës.

Shërbimet e Policisë Rrugore në të gjithë vendin janë shtrirë në të gjithë akset problematike, ku orientojnë drejtuesit e automjeteve të tregojnë kujdes dhe të rregullojnë shpejtësinë.

Shiu, dëbora dhe errësira vështirësojnë lëvizjen dhe shtojnë rrezikun për aksidente rrugore.

Drejtoria e Policisë Rrugore apelon të gjithë drejtuesit e mjeteve të tregojnë kujdes, të moderojnë shpejtësinë, mos të kryejnë parakalime të gabuara, të vendosin rripin e sigurimit, kaskat mbrojtëse për biçikletat dhe motoçikletat, si dhe mos drejtojnë mjetin nën efektin e alkoolit.

Ndërsa në akset si Rruga e Kombit apo akse të thella malore, ku ka prezencë të dëborës, këshillohet qarkullimi me zinxhirë pavarësisht trashësisë së dëborës, transmeton ATSH.

“Në rast nevoje telefononi menjëherë në numrat pa pagesë 112 e 129 dhe do të ndihmoheni nga Patrullat e Policisë Rrugore dhe ato të Përgjithshme, pasi në situata të rënduara nga moti dimensioni i Patrullave të Policisë Rrugore është ndihma automobilistike për drejtuesit e mjeteve dhe pasagjerët në nevojë”, thuhet në një njoftim për shtyp të drejtorisë së Policisë Rrugore.

Shpërndaje.