Serbia një “Kalë Troje” në BE

Kosova ende nuk është anëtare e Bashkimit Evropian dhe ende nuk është njohur nga pesë vende anëtare të BE-së. Mungesa e këtyre njohjeve vlerësohet si pengesë për Kosovën dhe sipas ish ministrit të Jashtëm francez, Bernard Kushner, Kosova nuk do të jetë pjesë e BE-së së shpejti, ndërsa që Serbia së shpejti mund të anëtarësohet në BE.

Lidhur me gjithë këtë, drejtori i Qendrës Kosovare për Diplomaci, Selim Daku, në një prononcim për gazetën “Bota sot”, ka thënë se nëse Serbia është afër anëtarësimit në BE, aq afër duhet të jetë edhe Kosova.

“Për Kosovën ky proces duhet parë në prizëm pozitiv. Sa më afër BE-së të jetë Serbia, aq afër BE-së do të jetë edhe Kosova.Së pari duke ndryshuar dilemat e orientimit gjeopolitik dhe ato tëkultivimit të vlerave të Serbisë. Bashkimi Evropian duhet të ketë parasysh se nëse Serbia është afër anëtarësimit, atëherë duhet edhe sjelljen ta ketë të tillë”, ka deklaruar ai.

Sipas Dakut, Serbia mund të jetë një ‘Kalë Troje’ për BE-në dhe se përfaqësuesit e Serbisë nuk përfaqësojnë vlera evropiane.

“Aleksandër Vuçiq dhe Ivica Daçiq si udhëheqës të Serbisë për mua nuk mund të përfaqësojnë vlera evropiane. Përfaqësues politik të tillë i takojnë së kaluarës dhe si të tillë nuk mund të zënë vend në vlerat që proklamon Bashkimi Evropian. Në të kundërtën, Serbia mund të ishte një “Kalë Troje” për Bashkimin Evropian. Këtë e pohoi bazuar në sjelljen e shtetit serb karshi Republikës së Kosovës duke mosrespektuar marrëveshjet e arritura me ndërmjetësim nga Bashkimi Evropian”, është shprehur më tej ai.

Sa i përket pengesës së Serbisë për anëtarësimin e Kosovës në BE, drejtori i Qendrës Kosovare për Diplomaci, ka thënë se ajo është barriera kryesore, por që ka edhe pengesa tjera.

“Sjellja e Serbisë nëraport me Kosovën nuk është korrekte. Por, Kosova nuk duhet të presë sjellje tjetër nga Serbia. Serbia është barriera kryesore për Kosovën për anëtarësim në organizatat ndërkombëtare dhe Bashkim Evropian. Edhe pse ajo përdorë të gjithë mekanizmat e saj për të penguar anëtarësimin e Kosovës në BE, ajo nuk është edhe pengesa e vetme.  Për Kosovën hendikep mbetet edhe njohja e shtetit nga pesë shtetet anëtare të BE-së. Kosova duhet të intensifikojë aktivitetin e saj në Bashkimin Evropian, duke synuar që sa më parë të arrijë këto pesë njohje. Në veçanti, Kosova duhet të rrisë intensitetin e aktivitetit me dy pikat kyçe të funksionimit të BE-së Gjermaninë dhe Francën”, ka vlerësuar Daku.

Ndërsa, në lidhje me kohën se kur Kosova mund të jetë pjesë e BE-së, ai ka thënë se anëtarësimi vjen kur Kosova t’i përmbush kriteret.

“E rëndësishme është që Kosova ka orientim euro-atlantik institucional dhe social, ndërkaq koha e anëtarësimit do të vie në momentin që Kosova tregon performancë të lartë në sundim të ligjit, respektimit të të drejtave të njeriut, kur të rritet standardi jetësor dhe zhvillimi ekonomik si dhe kulturë të lartë të sjelljes politike dhe vlerave të tilla”, ka përfunduar Selim Daku për “Bota sot”.

Shpërndaje.