Si “Big Brother”, Ministria e Brendshme do të shpenzojë mbi 60 milionë lekë për kamera

“Big Brother” do të jetë kryeqyteti, por jo vetëm… Ministria e Brendshme gjatë këtij vitit do të shpenzojë mbi 60 milionë lekë për blerjet në funksion të rritjes së sigurisë publike.

Rreth 80% e këtij fondi do të shkojë për pajisjet e përgjimit ku përfshihen ato për policinë shkencore dhe kriminale, shtimi i serverave si edhe mjete lundruese për drejtorinë kufitare bregdetare.

Në këtë kuadër Ministria e Brendshme ka rritur vëmendjen ndaj policisë duke rritur buxhetin, ku vetëm për gardën fondi është dyfishuar, shkruan Gazeta Shqiptare.

Buxheti i akorduar nga qeveria për këtë institucion, për vitin 2018, kap vlerën prej 21.1 miliardë lekësh , buxhet i cili shënon një rritje prej 8.4% krahasuar një vit më parë .

Lidhur me buxhetin, ministri Fatmir Xhafaj ka deklaruar më herët se përveç këtij ka edhe fonde shtesë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian të cilat do të investohen në teknologji dhe në asistencë.