Si donte ta vriste Enver Hoxha Kristo Frasherin!

Historia e Hoxhës është një histori e gjatë e eliminimit të drejtuesve të Partisë, krerëve të saj dhe të “shokëve” të tij. Një histori e trishtë, e njohur në vendet komuniste, por për nga përmasat e krahasueshme vetëm me atë që Stalini bëri në Bashkimit Sovjetik gjatë 29 viteve të sundimit të tij. Enver Hoxha i kishte hyrë politikës me një metodë të re, që Kristo Frashëri, i pari që u përjashtua nga Partia në fillim të vitit 1942 e përkufizon kështu:

“Kur mori përgjegjësinë e Partisë në kohën e Luftës ai iu kushtua totalisht punës. Ai ishte njeriu që diti të tregojë një vendosmëri të fortë gjatë Luftës. Unë nuk e kam dashur, por e çmoj për punën që bëri gjatë saj. Pas Luftës pastaj ai u shpërfytyrua krejt. E ruajti buzëqeshjen, por përdori atë metodën që i mësoi Miladini: Partia forcohet duke u spastruar. Edhe kur nuk ka armiq, krijo armiq”. (4)

Vetë Frashëri u dërgua për riedukim në çetën e Pezës me një zarf në dorë brenda të cilit ishte një letër për komisarin e saj. Frashëri duhej ta dorëzonte letrën të pahapur. Ai e bëri vërtet këtë, por 60 vjet më pas gjeti në AQSh letrën që kishte dorëzuar me dorën e vet me një përmbajtje të thjeshtë:

“Person i rrezikshëm, mbajeni nën kontroll, po e drodhi bishtin, këputini një plumb pas qafe. Enver!”(5)

Po të kishte kërkuar edhe më në AQSh, Kristo Frashëri do të kishte gjetur edhe një porosi tjetër, mes porosive të shumta të Enver Hoxhës dhe të Miladin Popoviçit, që i jepeshin si “direktiva” Nako Spirut në mars të vitit 1944:

“Për punën e grupazheve duhet të kini mendjen. Shumë herë i kemi shkruar Gogos. Delegates çNexhmije Xhuglinit] i kam shkruar kur kam qenë në Martanesh dhe qe bash atje Kristo Frashëri, i cili drejtohej për Tiranë. Isuf Keçi kish qenë atje dhe Kristo Frashëri i kish thënë të vente të piqej me Xhaxha Nezin dhe sigurisht dhe me Xhepin […] Grupazhet janë strukur në qytete, pse në çeta s’mund të punojnë lirisht, atje organizojnë, atje kombinojnë, prandaj shokët të jenë të zgjuar, t’i vëzhgojnë, t’i luftojnë dhe të mos ketë Gogoja me shokë për ta një zemër murgeshe. Për Partinë s’ka qeder pse shkon e digjet dhe një dru i njomë me të thatin. S’bëhet ndonjë hata, të mos kenë frikë”. (6)

Kristo Frashëri nuk ishte i vetmi të cilit iu rezervua një fat i tillë. Enver Hoxha u tregua i pamëshirshëm me ata që e kundërshtonin dhe që e pengonin në rrugën e tij, ose thjesht me ata që me personalitetin dhe karizmin e tyre i bënin hije pushtetit të tij. Në ish-Arkivat e PPSh, të integruar tanimë në AQSh, janë gjendur shënimet që Hoxha u diktonte gjatë Luftës adjutantëve: urdhra të prerë, cinikë dhe me një mungesë të çdo elementi njerëzor. Si ky për Llazar Fundon, komunist i orëve të para, që ai e kishte njohur në Korçë, nisur për divizionin e veriut me datë 21 shtator 1944:

“Zain e Fundos ta torturoni deri në vdekje dhe pastaj ta pushkatoni. Ti kërkohet të japë shpjegime për këto pyetje: Pse ka ardhur në Kosovë? Kush e ka dërguar dhe me ç’direktiva? Cilat janë qëllimet e Ganiut dhe të anglezëve? Të japë shpjegim për aktivitetin e tij të mëparshëm dhe për tradhtinë e tij. Depozimet e Zaiut na i dërgoni këndej me një njeri të sigurt. Zain e vrisni andej. Enver”. (7)

I pyetur në vitin 2007 sesi kishte mbijetuar nga spastrimet e Hoxhës, ndërkohë që miku i tij më i afërt Anastas Lulo qe pushkatuar, Kristo Frashëri u përgjigj:

“Unë kam shpëtuar në sajë të 250 lekëve. Në atë kohë shiteshin dryna “Tutius” 250 lekë. Unë bleva një dry dhe ia vura gojës. E lashë politikën, s’u mora më me politikë, as fola për politikë”.