Tradhëtia kombëtare e APN-së, “brina” s’ka!

Shkruan: Nehat Hyseni

Është i tmerrshëm fakti se Serbia gjithmonë ka pasur qëndrim armiqësor ndaj shqiptarve si komb, në përgjithësi, rrjedhimisht edhe ndaj shqiptarve të Luginës së Preshevës.

Pesha e kësaj urrejtjeje patologjike antishqiptare nga regjimet serbe është edhe më e rëndë për shqiptarët e Preshevës, Bujanocit e Medvegjës, sidomos pas vitit 1999, kur Kosova “i doli prej dore” Serbisë dhe fitoi lirinë e pavarësinë (2008) prej saj.

Është interesant fakti se serbët si komb, shikuar historikisht, pothuajse gjithmonë e kanë ndërtuar “patriotizmin” e vet në fatkeqësinë e kombeve të tjera dhe ishin iniciatorë për formimin e shtetit të sllavëve të jugut, pas Luftës së parë Botërore, në vitin 1918, të cilin fillimisht e quajtën si Mbretëri të Serbëve, Kroatëve e Sllovenëve, me mbretin serb Petar Karagjorgjeviq në krye, kurse dhjetë vjet më vonë e shndërruan në Mbretëri të Jugosllavisë, si shtet hegjemonist serb, i cili për shqiptarët ishte diktaturë shfarosëse që gjatë 23 vjetëve të ekzistencës së vet hartoi dhe realizoi projekte gjenocidale për shpërnguljen dhe spastrimin etnik nga shqiptarët, duke i deportiar mosovikisht në Turqi dhe Lindje të Afërt.

Paradoksalisht, edhe regjimi socialist i Titos, që mbështetej në ideologjinë komuniste që proklamonte si parim dhe kinse bazohej në barazinë sociale e kombëtare, për shqiptarët u realizua si sistem nacionalist e shovinist me pretendime shfarosëse ndaj shqiptarve, njësoj si regjimi i Mbretërisë së Jugosllavisë, duke i trajtuar shqiptarët si “trup i huaj” dhe si element i dyshimtë e armiqësor.

Aleksandar Rankoviqi në vitet e gjashtëdhjeta, si dhe Milloshheviqi në fund të viteve të tetëdhjeta e deri në fund të shekullit XX, kishin të njejtat pretendime të errëta antishqiptare.

Edhepse me metoda pak a shumë të ndryshme, ata kishin qëllime të njejta dhe ndjenja të fuqishme të urrejtjes patologjike ndaj shqiptarve, por edhe ndaj kombeve të tjera të ish Jugosllavisë, e sidomos ndaj myslimanëve.

Gjenocidin dhe masakrat në Bosne, gjatë viteve 1992-1995, i realizoi ushtria e rregulltë e Millosheviqit dhe bandat kriminele të Sheshelit dhe të Arkanit.

Njësoj ishte situata edhe gjatë viteve 1998-1999 në Kosovë.

Prandaj, shikuar nga këndvështrimi i myslimanëve në Bosne dhe shqiptarve, me gjithë dallimet ideologjike midis partive e regjimeve serbe, ato kishin dhe kanë kanë qasje të njejtë shoviniste e gjenocidale ndaj tyre.

Këtë të vërtetë të hidhur e ka vërtetuar shumë herë deri më tani historia jonë e shumëvuajtur kombëtare. Shqiptarët e trojeve të Jugosllavisë, pothuajse të gjithë ishin të vetëdijshëm për këtë fakt.

Madje edhe komunistët më fanatikë nga radhët e shqiptarve të Kosovës, Maqedonisë, Luginës së Preshevës dhe të Malit të Zi je dinin fare mirë këtë.

Por, mjerisht, sa duket, këtë mbase nuk e dinin edhe shqiptarët Shqipërisë!

Madje, as gjatë Luftës së Dytë Botërore, por dhe as gjatë viteve të regjimit fashist të Millosheviqit në vitet e nëntëdhjeta të shekullit të kaluar.

Fatkeqësisht, në Luginë të Preshevës edhe disa liderë aktualë të partive politike shqiptare aktualisht nuk janë ë vetëdijshëm për këtë fakt, të tradhëtisë kombëtare, meqë janë bërë bashkëpunëtorë të ngushtë të regjimit të Beogradit, për të keqen dhe fatin e zi të shqiptarve të Luginës së Preshevës.

Vuçiqi për shqiptarët i njejtë si Shesheli

Pra, duhet ta kemi të qartë se Partia Radikale Serbe e Vojisllav Sheshelit dhe Partia Përparimtare Serbe e Aleksandar Vuçiqit, mbase nga këndvështrimi i Unionit Europian (BE-së) dhe ambasadave të SHBA-ve dhe shteteve të tjera mike e demokratike, nga zyrat e tyre në Beograd, mund të vërejnë dallime midis Sheshelit dhe Vuçiqit, sa i përket raporteve me Rusinë dhe orientimit pro, apo kontra BE-së dhe integrimeve euroatlantike.

Por, shikuar nga perspektiva dhe këndvështrimi i realpolitikës nga Presheva, Bujanoci e Medvegja, por dhe nga Prishtina e Tirana, mjerisht, nuk vërejmë ndonjë dallim substancial, sa i përket politikës së tyre antishqiptare dhe ndaj pretendimeve të tyre të pangopura shoviniste e pansllaviste ndaj shqiptarve dhe trojeve të tyre në Ballkan.

Apel Shqiprimit dhe Armendit: këndelluni!

Prandaj, i bëjmë thirrje publike Shqiprim Arifit dhe Armend Aliut dhe mbështetësve të tyre nga radhët e APN-së që të heqin dorë nga të qënit vegla në duartë e SNS-it të Aleksandar Vuçiqit, duke u instaluar dhe imponuar në krye të masa e të dhunëshme të Qeverisë së Serbisë, të emërtuar zyrtarisht si “Organ i Pëkohshëm”, bashkë me një anëtar serb të SNS-it.

Sepse, ky imponim antishqiptar i Beogradit është në kundërshtim me interesat dhe vullnetin politik të shumicës së shqiptarve të komunës së Preshevës.

Kurse, Shqiprimin dhe Armendin i bënë bashkëpunëtorë të Serbisë dhe kundër shumicës së shqiptarve të komunës së Preshevës, ashtu si ishin dikur “shqiptarët e ndershëm”, si bashkëpunëtorë të regjimit të Millosheviqit.

Pra, Shqiprim Arifin dhe Armend Aliun, pjesëmarrja në lojën e dreqit, të paketuar me konfigurimin djallëzor e thellësisht antishqiptar të “Organit të Përkohshëm”, i bënë tradhëtarë të kombit shqiptarë, pa marrë parasysh “arsyetimet” dhe gënjeshtrat e tyre para opinionit dhe bindjes së tyre eventuale se janë “në rrugë të drejtë”!

Sepse, edhe ata shqiptarë të shkretë që ishin rrjeshtuar në anën e armikut, dmth si vegla të regjimit të Millosheviqit dhe të SPS-it famëkeq, shpresonin se me anë të mundësive dhe fuqisë politike e shtetërore që ua mundësonte regjimi, se do të arrinin benefite për veti me kompetencat e tilla dhe do e korruptonin mbështetjen popullore të shqiptarve.

“S’kanë kah t’ia mbajnë ata, se nuk e dijnë se sa e fortë është Serbia! Kanë me na ra në gjunjë e me na u lutë për bukë”! Kështu deklaronin me kërcnim ata shqiptarë shpirtëshitur në kohën e Millosheviqit edhe në Preshevë, që ishin në organet e pushtetit asokohe.

Realisht, ata e ndjenin veten “të fuqishëm”, meqë ishin të veshur me pushtet dhe deklaronin me fodullëk të paskrupulltë: “këta budalltë po merren me ëndrra”!

Nuk dua t’ua përmend emrat atyre shqiptarve shpirtëzinjë, sepse populli njeh dhe i din fare mirë, me emër dhe me mbiemër se kush janë, të kujtë janë dhe çfarë kanë bërë.

Rasti i Rrahman Morinës

Dua ta veçoj një rast nga Kuvendi i Kosovës asokohe, ku punoja si përkthyes simultan.

Salla e Kuvendit shfrytëzohej edhe për forume të Lidhjes së Komunistëve.

Në debatin e “nxehtë” që zhvillohej në sallë lidhur me “ndaljen e shpërnguljes me presion të serbëve e malazezëve nga Kosova”, papritmas hyri në kabinën tonë të përkthimit, që ishte anash sallës, kryetari i Komitetit Krahinor të LK të Kosovës, Rrahman Morina, i cili ishte vënë asokohe në shërbim të plotë të politikës antishqiptare të Millosheviqit dhe shqiptarët cilësonin ate si “kryetradhëtar” të Kosovës.

Na përshëndeti të gjithëve dhe ne i ofruam të ulet, por ai refuzoi dhe me një butësi e modesti befasuese, na pyeti se a na pengon që të qëndroj aty për ta përcjellur mbledhjen të cilin ai e kryesonte, por që kishte lënë zëvendësin për ta kryesuar.

Sepse, siç na tha ai, ishte bërë “nervoz”, se “në maje të hundës më kanë ardhë”! shtoi ai.

Pastaj, ofshani me një të sharë të rrast shqip të nënës së njërit nga diskutantët shovinistë serbë që hidhnin helm e vrerë mbi “nacionalizmin dhe irredentizmin shqiptar”, dhe shtoi: “këta s’po dijnë kur o’ boll, e s’po dijnë me u ndalë”!

Neve të gjithëve na befasoi ky qëndrim dhe kjo ndjenjë “patriotike” e këtij “kryetradhëtari” shqiptar dhe nuk i besonim vetes se çka na dëgjuan veshët.

Pra, nga ky rast, por dhe nga shumë e shumë raste të tjerë që më ka rënë t’i shoh me sytë e mi “live” nga funksionarët e ndryshëm shtetërorë e partiakë, gjatë punës sime në Kuvendin e Kosovës (1984-1990), nga Fadil Hoxha e deri tek delegatët e asaj kohe, që e votuan kapitulimin e Kosovës ndaj Serbisë (amendamenti 47), më 23 mars 1989, ishin të bindur se ishin “në rrugën e duhur”, edhepse realisht ishin në shërbim të Serbisë.

Kurse populli i Kosovës i kishte shpallur me kohë si “tradhëtarë” dhe “në shërbim të armikut”.

Tradhëtia “brina” s’ka!

Pra, kjo i bie se tradhëtia kombëtare “brina” s’ka!

Tradhëtia e Shqiprim Arifit dhe Armend Aliut, në rastin tonë konsiderohetë angazhimi politik në shërbim të interesave të regjimit antishqiptar të SNS-it të Aleksandar Vuçiqit dhe Qeverisë ë Serbisë, duke qëndruar pa të drejtë, kundër vullnetit politik të shumicës absolute të shqiptarve të komunës së Preshevës, të shprehur me votë në zgjedhjet lokale të 24 prillit 2016.

OP i papranueshëm për shqiptarët e Preshevës

Prandaj, “Organi i Përkohshëm” i Qeverisë së Serbisë, me të cilin u shkarkua nga posti i kryetares së komunës, zonjës Ardita Sinani dhe u emërua si kryetar i këtij organi Shqiprim Arifi dhe Armend Aliu si anëtarë, janë të papranueshëm nga shumica e shqiptarve të komunës së Preshevës, të cilin e konsiderojnë jolegjitim dhe e bojkotojnë të gjitha partitë politike të shqiptarve të kësaj komune, përveç APN-së që është cilësuar si parti kolaboracioniste me SNS-in dhe kundër vullnetit politik të shumicës së shqiptarve të kësaj komune dhe është thellësisht antishqiptare.