WADA shpall të pafajshëm 95 atletë rusë pas akuzave për doping: S’kemi prova

Agjencia Ndërkombëtare Antidoping (WADA) ka vendosur të tërheqë akuzat për doping karshi 95 atletëve rusë, që ishin akuzuar prej saj gati dy vite më parë për përdorim të substancave të ndaluara.

Lajmin e ka konfirmuar “New York Times”, që nënvijëzon një raport të brendshëm të WADA-s, ku thuhet se ajo nuk ka provat e mjaftueshme për të vijuar hetimet dhe për të dënuar atletët rusë.

Ky raport i brendshëm mban firmën e Oliver Niggli, drejtor i përgjithshëm i ADA, që shprehet se hetuesit e këtij institucioni nuk kanë arritur të gjejnë provat e mjaftueshme. Duket se sistemi korruptiv i ngritur nga antidopingu rus, që kishte si synim shkatërrimin e provave, ka arritur të triumfojë, duke mos bashkëpunuar me ndërkombëtarët në analizën e epruvetave me urinë dhe gjak.

Ky hetim i WADA ka nisur gati dy vite më parë, kur dhe plasi skandali doping në Rusi, që solli përjashtimin e shumë sportistëve rusë nga Lojërat Olimpike “Rio 2016”, kryesisht në sportin e atletikës, që vazhdon vazhdon të jetë i pezulluar nga të gjitha eventet ndërkombëtare.

Duket se WADA nuk ka gjetur rrugët e duhura për të vijuar këtë betejë dhe janë dorëzuar shpejt edhe pse sinjalet e ardhura nga Rusia kanë folur qartë për skandalin e përdorimit të substancave të ndaluara. Kjo tërheqje mund të krijojë mjaft polemika, pasi do të ishte “shumë zhurmë për asgjë”, ndërkohë që situata e krijuar vitet e fundit ka krijuar edhe konflikte politike mes Moskës dhe Washingtonit. /telesport/