YAC, organizatë që u krijon të rinjve Kosovarë përvoja Europiane

Qendra e Aktivizimit të Rinisë është organizatër joqeveritare rinore e cila është një nga organizatat më aktive në Gjilan, dhe një nga më aktivet në Kosovë për nga programi Erasmus+ e cila është në kuadër të Komisionit Europian.

Kjo organizatë deri më tani ka dërguar një numër të madh të rinjsh Kosovarë në projekte të ndryshme nëpër vende të ndryshme europiane si Angli, Francë, Itali, Turqi, Gjermani, Poloni, Danimarë, Moldavi, Rumani, Shqipëri, Maqedoni Bosnjë, Mal të Zi, Serbi, etj.

Gazeta Liria ka realizuar një intervistë me Zv. Drejtorin e kësaj organizate, z. Mejdi Sadiku, për punën e YAC-së, funksionimin dhe mundësitë që i jipen të rinjve përmes kësaj organizate.

Gazeta Liria: Çka është YAC dhe si vepron ?

YAC: Qendra e Aktivizimit të Rinisë, apo anglisht Youth Activism Center (YAC) është organizatë e pavarur rinore që vepron në çdo fushë të rinisë me qëllim të zhvillimit të shtetit të Republikës së Kosovës me anë të forcimit të kuadrove të reja në ngritje të kapaciteteve profesionale.

YAC synon që përmes Fushatave vetëdijësuese, monitorimit dhe publikimeve të informojë opinionin e gjerë mbi gjendjen momentale në sfera të ndryshme jetësore, të ngrisë kapacitetet e të menduarit të drejtë të shoqërisë, të bëjë zhvillimin e politikave publike dhe krijimin e mekanizmave përmes aktiviteteve për të çuar para vendin me vetëdijësim.

YAC ka si objetiv të tij të promovojë pjesëmarrjen e rinisë dhe të koordinojë përfaqësimin e tyre në organet drejtuese të institucioneve që kanë të bëjnë me rininë.

Gazeta Liria: Sa anëtarë apo aktivistë ka organizata juaj ?

YAC: YAC është një organizatë ku të gjithë anëtarët janë të rinj të moshës 16-29 vjeçare. Për nga hierarkia është e rregulluar përmes bordit të organizatës, Kryesisë, departamenteve dhe kuvendit. Gjithsej ka rreth 20 të rinj që punojnë në organizatë, por ka një numër shumë të madh të rinjsh që marrin pjesë nëpër aktivitete të ndryshme të organizatës.

Gazeta Liria: Me çfarë aktivitete mirreni ?

YAC: YAC mirret me çdo lloj aktiviteti që ka të bëjë me rininë. Në theks të veçantë është e fokusuar në bashkëpunim ndëretnik rinor, ngritje të kapaciteteve, vetëdijësim, të drejtat e njeriut, ndërmarrësi dhe mbrojtje të mjedisit.

Gazeta Liria: Sa projekte apo aktivitete keni realizuar nga themelimi ?

YAC: YAC e themeluar në vitin 2013, deri më tani ka bërë një sërë aktivitetesh me target rininë Kosovare. Në backgroundin e saj, YAC ka realizuar gjithsej 25 trajnime vendore, 14 trajnime ndërkombëtare, 2 aktivitete humanitare dhe dhjetëra aktivitete tjera.

Gazeta Liria: Ju keni marrëdhënie të mira me organizatat ndërkombëtare në të cilat dërgoni shumë të rinj në trajnime ?

YAC: Ne kemi marrëdhënie shumë të mira me organizata të ndryshme joqeveritare në vende të ndryshme Europiane, duke vënë në theks të veçantë bashkëpunime me ata në Angli, Francë, Itali, Turqi, Bosnjë dhe Serbi.

Gazeta Liria: Sa të rinj kanë marrur pjesë nëpër trajnime ndërkombëtare nga organizata juaj ?

YAC: Nga 12 trajnime ndërkombëtare, sa ka realizuar YAC në vitin 2015 gjithsej ka dërguar 44 të rinj. Në vitin 2016 deri më tani nga 2 projekte, ka dërguar 4 të rinj. Gjithashtu gjatë vitit 2016 pritet që së paku të realizohen edhe 6-7 projekte, derisa jemi në kontakt të vazhdueshëm me organizata të ndryshme për partneritete të reja.

Gazeta Liria: Si bëhet pëzgjedhja e pjesëmarrësve nëpër këto projekte dhe cilat janë kriteret bazë që duhet t’i kenë pjesëmarrësit ?

YAC: Përzgjedhja bëhet përmes formës së aplikimit e cila është krijohet veçanërisht për projektin përkatës dhe në momentin e hapjes së thirrjes për pjesëmarrës gjendet në web faqen e YAC-së www.youthac.eu. Kriter i vetëm është njohja e gjuhës angleze si dhe të jenë të pajisur me dokumente valide udhëtimi. Kriteret tjera kërkohen varësisht nga lloji dhe tema e projektit.


Gazeta Liria: A mendoni që rinia jonë ka kapacitete intelektuale sipas asaj që keni parë në krahasim me të rinjtë e vendeve tjera?

YAC: Zakonisht ne Shqiptarët jemi popull shumë i gjallë dhe shumë aktiv. Në shumicën e projekteve, shqiptarët janë ndër më aktivet të aktivitetit, si për nga tema e aktivitetit, ashtu edhe për nga pjesa e kohës së lirë. Të rinjtë tanë kanë intelekt por që fatkeqësisht në vendin tonë për arsye politike nuk i krijohet kurrfarë mundësie që këta ta tregojnë potencialin e tyre në lëminë e tyre.

Gazeta Liria: Duke ju falenderuar për intervistën për Gazetën Liria, për fund, çfarë mesazhi keni për rininë tonë ?

YAC: Të rinjve dua t’i them që pa marrë parasysh gjendjes nëpër të cilën jemi si vend, në asnjë moment të mos demotivohen dhe atyre të interesuarve vazhdimisht të kërkojnë për mundësi të shumta që i ofrohen atyre nëpër lëmi dhe fusha të ndryshme, ku mund t’i shfrytezojnë për thithje të njohurive të shumta të cilat do të mund t’i shërbenin atyre në profesionin e tyre përkatës. /Gazeta Liria/

Shpërndaje.