​FASK-u edhe zyrtarisht në FIA

Federata e Auto Sportit e Kosovës (FASK) është pranuar edhe zyrtarisht në Federatën Ndërkombëtare të Automobilizmit.

Asambleja e FIA-s, në mbledhjen e mbajtur në Paris e ka konfirmuar mbështetjen e saj për FASK-un dhe që nga sot garuesit tanë janë të barabartë me homologët e tyre të vendeve tjera.

Kryetari i FASK-ut, Ismet Rexhepi, është shprehur i kënaqur me këtë të arritur, të cilën garuesit tanë e kishin pritur një kohë të gjatë.

“Pa dyshim se jemi të lumtur për këtë moment, pasi e kemi pritur mjaft gjatë. Ne kemi qenë të bindur se vendimi i FIA-s do të jetë pozitiv, pasi bashkëpunimi ynë me zyrtarët e saj, pastaj niveli i cilësisë dhe masoviteti i garave që i kemi zhvilluar i kanë parapriprë këtij vendimi. Kjo ka ndodhur si rezultat i bashkëpunimit të ngushtë të të gjithë atyre që janë të përfshirë në automobilizëm, pastaj, komunave, Komitetit Olimpik, Departamentit të Sportit dhe të gjitha intitucioneve tona. Tani na pret punë e madhe, por gjithsesi do ta kemi më lehtë”, ka thënë Rexhepi. /KosovaPress/

– See more at: http://www.kosovapress.com/sq/sport-vendor/fask-u-edhe-zyrtarisht-ne-fia-58179/#sthash.xgbXswIe.dpuf