​Komuna e Mitrovicës: Më pak shpenzime në karburante se vitin e kaluar –

Komuna e Mitrovicës për 10 muaj ka shpenzuar mbi 1.500 litra derivate të naftës, më pak se vitin e kaluar në të njëjtën kohë. Megjithatë, vlerësojnë se mund të bëjnë kursime edhe më të mëdha sa i përket shfrytëzimit të automjeteve nga ana e shërbyesve civilë. Kështu thotë zyra për informim e kësaj komune përmes një njoftimi për media.

Komuna njofton se bordi i drejtorëve ka mbajtur mbledhje në të cilën janë diskutuar disa çështje, ndër të cilat edhe përgatitja e një projekti për ndërtimin e parkingjeve në hapësirat ekzistuese. Pritet që anëtarët e bordit të dalin me propozime konkrete dhe të fillohet me procedurat ligjore për realizimin e këtij projekti.

Në njoftim thuhet se u diskutua edhe problemi i ndërtimit të shkollës së mjekësisë, afatet për përfundimin e së cilës, kanë kaluar. Nga raportimet në këtë mbledhje, ka dalë se vonesa është bërë për shkak të cilësisë së dobët të materialit dhe mos-marrëveshjeve ndërmjet punëkryerësit dhe mbikëqyrësit të punimeve në shkollë. Megjithatë, komuna njofton se tashmë ka mbetë vetëm të rregullohet dyshemeja dhe pastaj të bëhet inaugurimi i shkollës.

Në mbledhjen e bordit u diskutua edhe për çështjen e ndërprerjes së rrymës në hapësirat e Q endrës së Kulturës, hyrja tek parku i qytetit, ku aty janë të vendosura një numër i madh i organizatave jo-qeveritare, të cilave KEDS ka ditë që u ka shkyçur rrymën. Siç thuhet në njoftim, Komuna e Mitrovicës është e gatshme të ndihmojë në zgjidhjen e problemit, ku anëtarët e bordit u pajtuan që të vazhdojnë bisedimet me KEDS-in në Mitrovicë dhe të iu gjejnë një zgjidhje./lajmi