​(Sh)fajësimi i qytetareve dhe trashëgimia kulturore në Kosovë

Pompoziteti politik në prag të tentimit të Kosovës për anëtarësim në UNESCO e mori çmimin e vetë. Dëshmia më e mirë se si qëndron Kosova në raport me edukimin, shkencën, dhe veçmas trashëgimin kulturore është dështimi famoz i Kosovës për anëtarësim në UNESCO

U nxita të shkruaj këtë artikull në mëngjesin e sotëm duke lexuar një reagim të Këshillit të Kosovës për Trashëgimi Kulturore (KKTK) të publikuar dje në mediumet kosovare. Disa emocione dhe përshtypje e kaplojnë njeriun sapo të merr vesh ndonjë lajm sidomos kur ai është i keq, sikur më ndodhi edhe mua.

Qenka rrënuar një aset kulturor në qytetin e Prishtinës e cila ka dekada ndërtimi dhe përfaqëson të kaluarën e jetesës, arkitekturës dhe socio-situatën e popullsisë së qyteti të Prishtinës në fillim vitet e shekullit XX.

Natyrshëm kjo ndjenë është e de-niveluar në varësi të shkallës së lidhjes që kemi me fushën respektive. Rishtazi kam pas rastin të hulumtoj mbi fondin e trashëgimisë kulturore që disponon Kosova, dhe profilin aktual duke vrojtuar të kaluarën, për të imagjinuar (planifikuar) të ardhmen.

Pikë-rëndesa ime e studimit në këtë segment ka qenë, përpjekja për të nxjerr në pah vlerat që bartë trashëgimia kulturore dhe mirë-përdorimi i saj në ngritjen e shkallës së motivacionit turistik me qëllim forcimin e ofertës turistike të Kosovës.

Është për të ardhur keq sa hapësirë për punë ka në këtë fushë dhe sa pak bëhet për të në Kosovë! Ministria e Kulturës Rinisë dhe Sportit (MKRS) në vazhdimësi dhe duket njëlloj të vazhdoj edhe tani, më shumë është njohur/njihet si ministri e dekoratave dhe shpërblimeve sesa ministri e realizimit të projekteve, qëllimi i të cilave duhet të ishte rivitalizimi i institucioneve, trashëgimisë kulturore dhe kulturës në përgjithësi.

Ky aspekt do të mundësonte që gjendja në fondin e trashëgimisë kulturore dhe mirëmbajtja e saj, të jetë më e mirë se që është tani. Preokupimi për gjendjen e trashëgimisë kulturore, për gjendjen e mekanizmave lokal dhe qendror që kanë obligim ngritjen dhe mirëmbajtjen e saj do duhej të ishte mision i ministrisë e jo dekoratat e lëvdatat, ani pse edhe ato kanë vendin e vet.KKTK-ja kishte reaguar dhe kjo më bëri përshtypje pozitive, sikur nuk pash asnjë reagim të MKRS-së dhe kjo do të bënë përshtypje negative.

Para gjithë kësaj, institucionet e kulturës në Kosovë duhet ta artikulojnë qartë (këtë nuk e kanë bërë asnjëherë si duhet), se asetet e trashëgimisë kulturore janë pronë e shtetit (ani se përkohësisht dhe në formën procedurale mund të jetë posedues ndonjë person fizik dhe juridik), janë me vlera dhe nuk duhet të dëmtohen.

Qytetarët shpeshherë janë naiv dhe në raste të veçanta kanë interesa ekonomike të forta, por shpeshherë janë më të pafajshmit. Si ti fajësojmë qytetaret për rrënim dhe dëmtim të pronave të trashëgimisë kulturore kur vet shteti i dëmton ato, si mirëmban dhe i lejon të shkatërrohen tërsishtë, me gabimet dhe mosveprimet e tij si dhe me veprimet e gabuar, të dëshmuara sa e sa herë deri tani.

Po japim vetëm një shembull për të ilustruar “efikasitetin dhe efiqencën” e institucioneve kulturore të Kosovës: Xhamia e Mazhiqit ishte një nga ndërtesat e kultit islam të kohës, tani një nga monumentet e trashëgimisë artiktekturore e mbrojtur dhe e listuar në Listën e Trashëgimi Kulturore për Mbrojtje të Përkohshme (LTKMP) të MKRS-së. Ai resurs kulturor është djegur dhe demoluar pamëshirshëm nga regjimi serb gjatë luftës 1997-99, por mjerisht gjendja e saj është përkeqësuar dhe tani ajo ndodhet në një situatë shumë më të keqe se sa që ishte menjëherë pas luftës.

Pesha kulturore dhe turistike e këtij monumenti, me atributet e matshme që ka ajo, është cenuar në themel. Nuk mund të luaj rolin e ekspertit por kamë besim se ky aset është vështir të revitalizohet tani. Ky monument arkitekture nëse s’ka mund të restaurohet, ka mund së paku të mbrohet nga degradimi i thellë.

Ai monument do të duhej të restaurohet deri tani sepse është nga të rrallat monumente për atributet që bartë: struktura, arkitektura, jeta fetare dhe lidhja e popullsisë autoktone me këtë objekt kulti. Vjetërsia e tij është një nga atributet e vlefshme pa masë.

Besoj, çdo kush që sqarohet mirë e kupton se ne nuk kem aq komoditet (përkundrazi) sa të humbim pjesë nga historia jon më shumë se 450 vjeçare (aq sa ka monumenti arkitekturor Xhamia e Mazhiqit me vendimin Nr. 02-957/66, sipas LTKMP).

Pompoziteti politik në prag të tentimit të Kosovës për anëtarësim në UNESCO e mori çmimin e vetë. Dëshmia më e mirë se si qëndron Kosova në raport me edukimin, shkencën, dhe veçmas trashëgimin kulturore është dështimi famoz i Kosovës për anëtarësim në UNESCO.

Unë e kuptoj se brenda këtyre organizmave ka interferime politike dhe nevoja e përkrahjeve të miqve është e domosdoshme por para së gjithash, gatishmëria lokale e firmosur me aktivitete konkrete në funksion të përmirësimit të gjendjes së kësaj trashëgimie, që e kemi amanet nga paraardhësit, është garanti i pakthyeshëm që e sfidon çdo pengesë eventuale të Kosovë në këtë rrugëtim.

Dr.sc. Fitim Humolli, ligjërues i Gjeografisë së turizmit në UP “Hasan Prishtina”