​Veteranët e Kaçanikut paralajmërojnë sërish bllokim të rrugëve

Veteranët e Kaçanikut edhe njëherë kanë paralajmëruar bllokimin e rrugëve në rast se nuk do të plotësohen kërkesat e tyre lidhur me fondin prej 10 milionë eurove, i cili ende mbetet i pashfrytëzueshëm për veteranët.

Po ashtu, veteranët nga Kaçaniku kanë kërkuar edhe beneficionet tjera që u takojnë me ligj.

Përfaqësuesi i veteranëve të Kaçanikut, Jeton Kuçi, ka thënë se ka dy kërkesa, njërën për ministrin e Mirëqenies dhe Punës Sociale, Arban Abrashi dhe tjetrën për kryetarin e Komisionit Qeveritar, Agim Çeku.

Kuçi për KosovaPress përmes telefonin ka treguar se kërkesa për ministrin e Punës dhe Mirëqenies Sociale, Arban Abrashi ka të bëjë me fondin prej dhjetë milionë eurove, fond ky i cili është ende i pashfrytëzueshëm për veteranët.

Ai i ka dhënë 24 orë kohë ministrit Abrashi që të njoftojë se çfarë do të bëhet me këtë fond. Ndryshe, siç tha Kuçi, veteranët do të ndëramrrin masa radikale dhe do të bllokojnë rrugët.

“Kërkesa i drejtohet ministrit Abrashi për fondin e 10 milionë eurove, i cili është ende i pashfrytëzueshëm për veteranët, dhe kërkoj që nga ministri që të njoftojë brenda 24 orëve për këtë fond, a do t’i shpërndahet veteranëve në mënyrë retroaktive apo do të hiqet ky fond për këtë vit. Nëse nuk komunikon me veteranët, ne do të marrim masa radikale prapë me bllokimin e rrugëve”, tha Kuçi.

E lidhur me kërkesën tjetër të drejtuar ndaj kryetarit të Komisionit Qeveritar, Agim Çeku, Kuçi ka kërkuar nga ai që brenda javës të shpërndahen certifikata për veteranët, përmes të cilave ata mund aplikojnë për benifitet të cilat u takojnë.

“Kërkesë tjetër shkon edhe për komisionin qeveritar, për shpërndarjen e certifikatave, për gjithë ata që kanë kaluar me status të veteranit pas ankesave. Dhe kërkojmë nga kryetari i Komisionit Agim Ceku, që të brenda javës të i shpërndajë certifikatat dhe gjithë veteranët të kenë mundësi të aplikojnë për t’i marrë benifitet të cilat u takojnë”, tha Kuçi për KosovaPress.