​Zyra e Kryeministrit paguan mbi 6 mijë euro për larje të veturave

Zyra e kryeministrit të Kosovës, Isa Mustafa ka vendosur që t’i mbaj goxha të pastra veturat. Ky institucion shtetëror për këtë punë ka shpallur edhe tender. E për t’u dukur veturat shtetërore sa më të pastra, Qeveria e Kosovës do të paguaj hiq më pak se 6 mijë e 340 euro.

Kjo shumë e parave është për një vit. Tenderin për ” Shërbime të larjes së automjeteve” e ka fituar kompania “IZZI “ SHPK nga Prishtina. Pronar i saj sipas regjistrimit të bizneseve është Izet Berisha, shkruan Gazeta Express.

Derisa, po sipas këtij regjistrimi në ARBK kjo kompani shihet se nuk ka përvojë shumë. Ajo është themeluar jo më larg me katër muaj më parë, me 10 / 07 / 2015.

Në garë për tenderin e larjeve të veturave kanë qenë gjithsej pesë kompani. Kontrata mes Zyrës se Kryeministrit dhe kompanisë fituese do të nënshkruhet me datën 4 të këtij muaji. /Gazeta Express/.