11 Shtatori, nis “lufta” e re SHBA – Arabi Saudite

Në një kohë kur marrëdhëniet mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Arabisë Saudite gjenden në një pikë kritike për shkak të dokumenteve sekretë të sulmeve të 11 Shtatorit, që mund të implikojnë sauditët, presidenti amerikan Barak Obama zhvilloi një vizitë zyrtare në Riad.

Sipas mediave amerikane u diskutua për luftën kundër terrorizmit, ku dy vendet janë pjesë e një aleance ushtarake kundër ISIS. CNN shkruan se Obamës i është rezervuar një pritje e ftohtë në Riad, një shenjë e qartë që tregon ngrirjen e marrëdhënieve mes dy vendeve.

Ndërkohë në Washington detaje të reja dalin në dritë, që lidhin Arabinë Saudite me sulmin terrorist ndaj kullave binjake. Zyrtarët amerikanë zbuluan se certifikata e fluturimit e prodhuesit të bombave, Gasan Al-Sharbi, u gjet në një zarf të dërguar nga Ambasada saudite në Washington.

Dokumenti ishte gjetur në vitin 2002, gjatë arrestimit të terroristit. Dokumentet e dala së fundi si edhe 28 faqet e famshme të dosjes së 11 Shtatorit, kanë rritur dyshimet se qeveria saudite mund të jetë e përfshirë në sulmin terrorist që shkaktoi rreth 3000 viktima. Pak ditë më parë, propozimi në Senat i një projekt – ligji bipartizan që i lejonte shtetasit amerikanë të kërkonin dëmshpërblim ndaj qeverive të huaja për masakrën e 11 Shtatorit nxiti zemërimin e Riadit zyrtar.

Sipas “New York Times” ministri i jashtëm saudit, ka kërcënuar SHBA – të se vendi i tij do të shesë bono me vlerë 750 miliardë dollarë që ka në Thesarin amerikan, çka do të trondiste jo pak bazat ekonomike të SHBA–ve.