112 të vdekur në trafik për dhjetë muaj

Nga fillimi i këtij viti e deri më sot, 112 njerëz kanë vdekur nga aksidentet rrugore, raporton KTV.

Të shqetësuar me këto shifra, në Ditën Botërore të përkujtimit të viktimave në trafikun rrugor, një grup qytetarësh kanë organizuar sot një marsh protestues në kujtim të këtyre 112 viktimave si dhe për të thirrur për siguri më të madhe në rrugë.

Në emër të organizatorëve, Muhamed Krasniqi tha se ky marsh është një përpjekje për sensibilizimin e qytetarëve për më shumë kujdes në rrugë.

Ndërsa majori policor, Jeton Rexhepi, tha se numri i viktimave në trafik për periudhën janar – nëntor 2015 është më i madh se ai i vitit të kaluar, por që në përgjithësi ndër vite, ka rënë numri i viktimave.

Pas marshit, në Prishtinë pati edhe një pedalim protestues me biçikleta të organizuar nga Nisma Vetëdijësuese për Çiklizëm, me idenë për të kërkuar kushte dhe siguri më të lartë për çiklistët.