15 milionë euro i duhen Kosovës për të kontrolluar hapësirën ajrore (Video)

Vetëm 15 milionë euro i kushton shtetit të investojë në blerje të teknologjisë dhe zgjerim të stafit që do t’i mundësonte Kosovës plotësimin e kushteve për ta kontrolluar vetë hapësirën ajrore, raporton KTV.

Një numër i madh i shkresave u kanë shkuar institucioneve të ndryshme nga viti 2012, por nuk ka pasur lëvizje të dukshme për përmirësimin e këtyre kushteve.

Megjithatë, drejtori ekzekutiv i Kontrollit Ajror që së shpejti do të shndërrohet në agjenci, Bahri Nuredini mban ende shpresë se institucionet do të reflektojnë.
Sipas të dhënave të Eurokontrollit, deri në vitin 2022, hapësirën ajrore të Kosovës brenda një viti do ta shfrytëzojnë mbi 150 mijë aeroplanë dhe kjo do t’i sillte buxhetit përfitime të mëdha.
Kohavisioni ka kërkuar sqarime në Ministrinë e Infrastrukturës, pjesë e së cilës do të jetë Kontrolli Ajror, por nuk ka marrë asnjë përgjigje. Deri më 2019, Hungaro Kontrolli do të ketë nën menaxhim hapësirën ajrore të Kosovës.
Bazuar në marrëveshjen e nënshkruar me NATO-n, brenda vitit 2018 duhet të merret një vendim sa i përket kontrollit të hapësirës ajrore të Kosovës nëse Hungaro Kontrolli do t’i vazhdohej edhe një mandat apo të zgjidhej një autoritet tjetër.
Serbia ka shprehur hapur tendencën për të marrë nën menaxhim kontrollin e hapësirës ajrore të Kosovës, përcjell koha.net. Kohavisioni merr vesh se për të zgjidhur situatën politike në këtë çështje është afruar Islanda, e cila një kohë e ka menaxhuar Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinë.
Ky vend kishte propozuar që vetëm në letër të figuronte Islanda si përgjegjëse për kontrollin ajror, përderisa punët do t’i kryente Kontrolli Ajror në i Kosovës. Gjasat më të mëdha duket t’i ketë Austria, të cilën zyrtarët qeveritarë i kanë dhënë mbështetje.