5 arsye përse ky nuk është “kiameti”

​Kur vjen fjala tek gjeopolitika, ka gjithmonë një “treg” për trishtimin. Në këtë drejtim, kohët e fundit “biznesi” ka lulëzuar, teksa “The Economist”, “Foreign Affairs” dhe shumë gazeta e revista të tjera më pak të ekzaltuara kanë “thirrur” fort se rendi global po shembet, aftësia (dhe gatishmëria) e Amerikës për ta shpëtuar është në rënie, dhe mundësia e shmangies së konflikteve madhorë në dekadën që kemi përpara është thjeshtë iluzion.

Shumë ngjarje të kohëve të fundit – bashkë me fantazmat e 1914-ës dhe 1939-ës – kanë rritur reputacionin, por edhe të ardhurat e “fallxhorëve” të sotëm që paralajmërojnë se po vjen “fundi”. Eshtë aventurizmi i Rusisë në Ukrainë, agresiviteti territorial i Kinës (dhe rikthimi i Japonisë tek nacionalizmi) në Azinë Lindore, katastrofa që s’ka fund në Siri dhe kaosi në Lindjen e Mesme, rishfaqja e krimeve mizorë në Sudanin e Jugut, Nigeri dhe gjetkë në Afrikë, si dhe ankthi i rikthimit të grindjeve në Indi, pas fitores në zgjedhje të nacionalistit hindu Narendra Modi.

Por, ndonëse gjendja gjeopolitike globale nuk është aq e mirë sa mund të ishte – asnjëherë nuk është në fakt – ka shumë arsye të mendojmë se nuk është edhe aq keq sa pretendon shumëkush. Ja pesë arsyet më të rëndësishme për të mos e humbur gjumin, siç ju thonë analistët dhe komentatorët.

Së pari, nuk po ndodh një Luftë e Ftohtë II. Rusisë dhe Kinës nuk i pëlqen pretendimi i SHBA për lidershipin global, atyre u shijon që t’ia “shkulin” bishtin sa herë u vjen mundësia, duan më shumë influencë rajonale (ashtu si dhe vetë SHBA), dhe në mënyrë periodike ia kthejnë shpinën bashkëpunimit shumëpalësh. Por, ato janë thellësisht të integruara në rendin botëror ekzistues, dhe nuk kanë as shtytje ideologjike, as interesa ekonomikë, as kapacitet fizikë dhe as mbështetje aleatësh për ta sfiduar atë. Duan influencë më të madhe në institucionet ndërkombëtarë, dhe jo t’i përmbysin ata.

Së dyti, rënia e fuqisë dhe influencës së SHBA krahasuar me Kinën dhe fuqi të tjera në rritje është e natyrshme, e pashmangshme, dhe nuk përbën shkak për alarm mes atyre që prej kohësh janë mbështetur tek mbrojtja dhe mbështetja e Amerikës. Do të ishte e pamendueshme që SHBA të ruante përgjithmonë dominimin njëpolar të viteve menjëherë pas fundit të Luftës së Ftohtë, kur ajo kishte 30% të GDP global dhe gjysmën e shpenzimeve ushtarakë të të gjithë botës. Të tjerëve u duhej të përpiqeshin fort që ta arrinin.

E vërteta është që, në terma absolutë, fuqia ekonomike dhe ushtarake e SHBA është ende shumë e madhe, dhe që ajo do të ketë shumë më tepër aleatë, miq, dhe influencë se sa gjithësecili prej konkurentëve. Ajo që ka rëndësi, është se si do të zgjedhë ta ushtrojë këtë fuqi. Në një bisedë private, menjëherë pasi u largua nga detyra e presidentit, Bill Clintoni ka thënë se zgjedhja nuk duhet të jetë mes “qëndrimit përjetësisht i pari në bllokun global, por krijimi i një bote në të cilën ne do të jetojmë rehat edhe kur të mos jemi të parët në bllokun global”.

Së treti, ndërkohë që është e dukshme ambicia e fuqive në rritje për më shumë hapësirë dhe influencë, nuk është e pashmangshme që një përpjekje e tillë të marrë formë ushtarake. Të gjithë kanë shumë për të humbur. Fuqitë e mëdha të botës janë shumë më të ndërvarura financiarisht dhe në zinxhirët e furnizimit se sa ishin në vitin 1914 – viti i optimizmit të pakuptimtë, që pesimistëve u pëlqen aq shumë ta përmendin – dhe tmerret e shekullit 20 e kanë ndryshuar rrënjësisht mjedisin e rregullave. Luftënxitja – ideja që lufta është diçka fisnike dhe mund të jetë pastruese dhe spastruese – ka vdekur një herë e mirë.

Së katërti, rënia e mbështetjes tek fuqia ushtarake për zgjidhjen e problemeve gjeopolitikë nuk është shenjë që në krye janë “super-etërit”, por “të rriturit”. Besueshmëria e SHBA nuk është rrezik as për aleatët dhe as për armiqtë, kur kjo bën zgjedhje të kalibruara me kujdes, të ekuilibruar riskun dhe fitimin kur përdor forcën në raste të veçantë.

Kriticizmi i vazhdueshëm ndaj Presidentit Obama për faktin që nuk i shkoi deri në fund kërcënimit të tij për të sulmuar Sirinë, nëse kjo do përdorte armë kimike, nuk prek thelbin. Objektivi ishin të ndalej përdorimi i këtyre armëve nga regjimi i Asadit, dhe diplomacia – e mbështetur prej kercenimit të forcës – duket se ka arritur pikërisht këtë objektiv (ndonëse së fundmi ka pasur lajme, të pambështetur por shqetësues, për përdorim të armëve kimike si nga rebelët, ashtu edhe nga regjimi).

Natyrisht, forca ushtarake duhet mbajtur në “kutinë e veglave” për t’iu përgjigjur shteteve që bëjnë luftë agresive, si Iraku në 1991-shin. Aftësia ushtarake nevojitet gjithashtu për të përmbushur premtimet globalë të mbrojtjes së qytetarëve në rrezik gjenocidi dhe krimesh të tjerë mizorë, nëse opsione të tjerë nuk ka, dhe nëse ndërhyrja do të bëjë më shumë mirë se sa dëm, siç do të kish qenë mirë të ndodhte në Ruandë në vitin 1994. Por nëse ditët prej kaubojsi të Xhorxh Bushit kanë marrë fund, kjo është për t’u përshëndetur dhe jo për të qarë.

Së pesti, sistemi ndërkombëtar ka reaguar ndaj sfidave gjeopolitike më me efektivitet nga sa pranohet përgjithësisht. Pavarësisht dëmit që i bëri kriza e Krimesë marrëdhënies së tyre, SHBA dhe Rusia kanë vazhduar të bashkëpunojnë për të negociuar një zgjidhje diplomatike për problemin bërthamor të Iranit, dhe me Kinën për reagime të përbashkët të Këshillit të Sigurimit, për krizat e njëpasnjëshme në Afrikë. Në pothuajse çdo fushë të rivalitetit mes fuqive të mëdha, çështjet që kanë potencial krize janë izoluar, ndërkohë që për të tjerat bashkëpunimi ka vijuar.

Asnjë politikëbërës nuk mund të jetë i vetëkënaqur. Në horizont nuk po duket fundi i makthit të Sirisë, qetësia në Ukrainën lindore mund të jetë e përkohshme, dhe në marrëdhëniet kino-japoneze, “kokat e ftohta” janë me pakicë.

Por pesimizmi alarmist ushqen vetveten, është disfatist dhe duhet kontestuar. Ka shumë arsye për të besuar që, atje ku ka më shumë rëndësi, ne kemi mësuar shumë nga gabimet e të kaluarës. Nëse ruajmë qetësinë, më të këqinjtë prej tyre nuk do të përsëriten.