80 mijë videot misterioze në Youtube: Spiunë, marketing apo alienë?

Filmime 11-sekondësh me drejtkëndësha të ngjyrosur, me tinguj elektronikë. Në dukje nuk kanë kuptim, por kanë tërhequr edhe vëmendjen e BBC, që investigon. A ka një mesazh të fshehur?

A është një kod për spiunazhin? Një iniciativë e mençur marketingu? Apo një lojë në internet? Mos është shfryrja e ndonjë të çmenduri? Dikush ka ngarkuar për shtatë muaj me radhë në YouTube një video pas tjetrës me një format pothuajse identik: dhjetë pamje drejtkëndëshash ngjyrë të kuqe dhe blu, të cilët alternohen për 11 sekonda, me një muzikë në sfond që gjenerohet nga një kompjuter. Cfarë do të thotë? Kush i ka prodhuar dhe përse?

Kur numri i këtyre videove arriti shifrën mbresëlënëse 80 mijë, publikuesi anonim i tyre u ndal. Stop. Fundi i transmetimeve. Heshtje. Por ndërkohë në internet kishin nisur tam-tamet për të zbuluar kush dhe çfarë fshihen prapa këtij misteri të vogël të rrjetit? Tani me të po merret edhe BBC, e cila ka ngaruar një specialistin e vet për të investiguar. Dhe që ndoshta ka zbuluar, të paktën pjesërisht, vetë misterin.

Gjithçka nisi në 23 shtator të vitit 2013 në orën 14:45, kur dikush që shfaqej me emrin Webdriver Torso ngarkoi në YouTube videon e parë të serisë. Njëzetetetë minuta më vonë hodhi një tjetër, pothuajse të njëjtë. Një orë më vonë, një të tretë. Dhe vazhdoi kështu, ditë pas dite, për shtatë muaj me radhë, deri kur krejt papritur u ndal, pasi kishte ngarkuar në kanalin e tij plot 236 orë klipe 11 sekondësh: 80 mijë filma të shkurtër nga 11 sekonda secili.

E para që e pikasi fenomenin ishte e përmuajshmja amerikane Wired. Që atëherë, pyetja është vërtitur nëpër internet, mes blogjeve, postimeve në Facebook dhe Twitter: kush qëndron prapa kësaj sekuence të çuditshme drejtkëndëshash të kuq dhe blu? Cili është mesazhi i tyre, nëse ka një të tillë? Një hipotezë është që mund të jetë një gjuhë e koduar, që u dërgohet spiunëve apo informatorëve. Një tjetër thotë se bëhet fjalë për një testim për të zbuluar talente të rinj të kriptografisë. Një burim i tretë thotë se është diçka banale, një nismë marketingu për një produkt – por ende nuk është zbuluar se për çfarë produktesh bëhet fjalë. E përditshmja angleze The Guardian ka thënë se ndoshta është rezultat i një konference krijuesish të programeve kompjuterikë, një lloj loje mes inxhinierësh kibernetikë, dhe mendon që edhe kishte pikasur një të dyshuar, një shkencëtar me emrin Isaul Vargas i cili megjithatë ka mohuar që të ketë të bëjë me videot misterioze. Dikush beson që është pasojë e një programi të kompjuterizuar që është “marrosur” – një lloj virusi) por efektet e të cilit nuk dihen ende. Dikush tjetër, pak a shumë seriozisht, thotë që janë mesazhe të dërguar në tokë nga një specie aliene jashtëtokësorësh.

Spencer Kelly dhe Stephen Beckett, dy ekspertë të cilëve BBC u ka kërkuar të investigojnë kanë mbërritur ndoshta pak më prane të vërtetës. Pikësëpari, duke ekzaminuar të 80 mijë videot, kanë zbuluar që Webdriver Torso ngarkonte të paktën 400 në ditë. Ditën e Krishtlindjeve ka ngarkuar madje një video në çdo dy minuta – praktikisht pa bërë asgjë tjetër, dhe gjithashtu pa humbur kohë për të ngrënë apo për të fjetur. Më tej, duke shamngur një paywall që ishte ngritur për të mbrojtur videon e parë që ishte ngarkuar zbuluan një klip të një filmi me kartona, “Aqua Teen Hunger Force”, në të cilin tre protagonistët nuk arrijnë të fitojnë një quiz në një klub nate. Në fund, në vieon numër 1182, zbuluan një anomali të dytë në krahasim me të tjerat: filmuar nga një ballkon në Paris, një klip prej 6 sekondash i ndërfutur brenda sekuencës së zakonshme me drejtkëndësha të kuq dhe blu, tregon Kullën “Eiffel” të ndriçuar natën, si dhe për një çast pamjen e padallueshme qartë të një personi. A është ai Webdriver Torso? Ndoshta. Edhe sepse, poshtë asaj videoje, ai ka lënë një postim misterioz: “Matei është inteligjent”.

Cdo përpjekje për të kontaktuar autorin e komentit përmes adresës në Google nuk ka marrë përgjigje. “Një gjë është e sigurtë”, konkludojnë dy investiguesit e BBC, “Ka shumë Francë brenda këtij misteri”, duke përfshirë ngjyrat e drejtkëndëshave, që janë ata të flamurit francez. Nëse është një specie aliene, që i ka ngarkuar filmimet në YouTube “shpresojmë që viennent en paix”. Ardhshin paqësisht!