Ja çfarë mund t’i pret deputetët që gjenden në arrati, nëse shkojnë në Kuvend –

Tre deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, Albulena Haxhiu dhe Faton Topalli, ndaj të cilëve është lëshuar fletë-arrest, Policia e Kosovës ka bërë të ditur se do të arrestohen në rastin që u jepet mundësia.

Ata mund të arrestohen edhe me 30 nëntor, në ditën kur është caktuar të mbahet seanca e Kuvendit të Kosovës, nëse vendosin të marrin pjesë në atë seancë.

Një gjë të tillë e ka paralajmëruar Policia e Kosovës, për lajmi.net.

Të pyetur nëse në këtë seancë marrin pjesë deputetet ndaj të cilëve është lëshuar fletë-arrest, a do të arrestohen ata, Policia ka thënë se ky institucion do të vazhdojë me realizmin e fletë-arresteve të lëshuara nga organet e drejtësisë.

“Policia e Kosovës (PK) me njësitet e saja relevante policore, bazuar në detyrat dhe autorizimet ligjore si dhe bazuar në Fletë Arrestet e lëshuara nga Gjykata Themelore në Prishtinë ka vazhduar dhe do të vazhdojë me kërkimin e personave të kërkuar me Fletë Arrest”.

“Policia e Kosovës bazuar në mandatin ligjor që ka, do të vazhdojë me realizimin e Fletë Arresteve të lëshuara nga organet e drejtësisë. Të gjitha veprimet policore do të realizohen konform autorizimeve ligjore dhe në koordinim me Prokurorin kompetente”, thuhet në përgjigjen e Policisë së Kosovës, për lajmi.net.

Ndryshe, Gjykata Themelore në Prishtinë ka lëshuar fletë-arrest javën e kaluar për 4 deputetë të opozitës, pas hedhjes së gazit lotsjellës në seancat e Kuvendit të Kosovës.

Policia ka arrestuar tashmë deputeten e AAK-së, Donika Kadaj-Bujupi, kurse tre deputetët e VV-së, vazhdojnë të jenë në arrati.