A i fshehu Opozita “200 mijë” nënshkrimet duke i dërguar në Presidencë?

Opozita duket se qëllimisht e ka dërguar peticionin e saj në Presidencë dhe jo në Kuvend. Presidenca nuk ka kapacitete për vërtetësinë e atyre nënshkrimeve, e as mandat ligjor e kushtetues për ta bërë këtë. Por, pse Presidentja e Republikës e pranoi peticionin?

Peticionet, ligjërisht, duhet të dorëzohen në Sekretarinë e Kuvendit të Kosovës, por Opozita vendosi që nënshkrimet kundër Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe dhe kundër përcaktimit të vijës kufitare me Malin e Zi t’i dorëzojë në Presidencë.

“Presidentja e Republikës së Kosovës zonja Atifete Jahjaga priti sot përfaqësuesit e tri subjekteve opozitare në Kuvendin e Kosovës – Vetëvendosje, AAK dhe Nisma – të cilët me kërkesën e tyre dorëzuan në Zyrën e Presidentes së Kosovës peticionin e organizuar nga partitë opozitare për çështjen e demarkacionit të kufirit shtetëror ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi dhe marrëveshjen për themelimin e asociacionit të komunave serbe në Kosovë”, u tha në një kumtesë shtypi të Zyrës së Jahjagës.

Por, a ka të drejtë Presidentja të pranojë këtë peticion?

Ligjërisht, jo.

Në Nenin 83 të Kushtetues së Republikës së Kosovës askund nuk thuhet se Shefi i Shtetit mund të pranojë peticione.

Lexojeni këtu kompetencat e Presidentes.

Burime të Gazetës Express saktësojnë po ashtu se Zyra e Presidentes nuk ka mundësi për të ngritur komision hetimor për vërtetësinë e këtyre nënshkrimeve – mundësi që e ka vetëm Kuvendi i Kosovës.

Siç dihet, partitë në pushtet dyshojnë se nënshkrimet janë falsifikuar.

“Ka njerëz që kanë votuar 600 herë në këtë peticion”, deklaroi Kryetari i PDK’së, njëherësh Zëvendëskryeministër, Hashim Thaçi.

Gazeta Express gjatë dy ditëve është përpjekur që të marrë një qëndrim për këtë nga Zyra e Jahjagës, por kjo ka qenë e pamundur; ata nuk janë përgjigjur në pyetjet e parashtruar nga gazeta.

Të njëjtën gjë e kanë bërë edhe partitë opozitare.