A po e lëkund Kosova partneritetin me faktorin ndërkombëtar?

Krizat e vazhdueshme politike në Kosovë po e vënë në luhatje diskursin politik të Washingtonit, të Londrës dhe Berlinit në raport me Kosovën, thonë analistët politikë në Prishtinë. Sipas tyre, klasa politike në Kosovë po krijon kriza për interesa të ngushta, por të cilat tani po e godasin partneritetin që ka Kosova me vendet që e mbështetën atë në rrugën e shtet-ndërtimit.

Analisti i Grupit Ballkanik për Politika, Naim Rashiti, vlerëson se dinamika e shtet-ndërtimit, e konsolidimit dhe funksionimit të institucioneve, mbeten çështjet kryesore që i shqetësojnë vendet mike të Kosovës.

Sipas tij, jo vetëm kriza, por edhe shkalla e lartë e korrupsionit dhe krimit të organizuar janë bërë tashmë pjesë e retorikës kur flitet për Kosovën në qarqet ndërkombëtare.

“Kosova, Shqipëria e Maqedonia, mbeten vendet më fragjile në Ballkan, më të korruptuarat dhe kjo është bërë brengë serioze”, është shprehur Rashiti.

Ndërkohë, analisti Ilir Ibrahimi mendon se Shtetet e Bashkuara të Amerikës duhet të konsiderohen si partneri më i rëndësishëm dhe promotori më i madh i shtetësisë së Kosovës. Ky partneritet, sipas tij, nuk do të duhej të vihej në pikëpyetje nga askush.

Krizat politike në Kosovë, sipas Ilir Ibrahimit, po krijohen nga vetë partitë politike, qofshin ato në pushtet apo opozitë. Këto parti politike, ka nënvizuar ai, në radhë të parë po angazhohen për pushtet më të madh, duke lënë anash mbrojtjen e interesit madhor të shtetit dhe shoqërisë.

“Opozita këtu ka luajtur një rol më destruktiv, mirëpo nuk mund të themi që edhe partitë në pushtet kanë qenë të hapura për një dialog të mirëfilltë dhe ta bëjnë opozitën partnere për çështje madhore të vendit, qoftë për Demarkacionin, Asociacionin apo edhe liberalizimin e vizave”, ka thënë ai. “Pushteti, pa marrë parasysh se sa vota ka apo sa numra ka në Kuvend, duhet të konsultohet me të gjithë shoqërinë kur është në pyetje interesi madhor shtetëror”.

Një dështim tjetër i politikës së Kosovës, sipas analistit Naim Rashiti, ka të bëjë edhe me dialogun me Beogradin. Ndonëse këtu ai fajëson edhe Bashkimin Evropian si ndërmjetësues të dialogut, megjithatë e sheh si fajtore edhe Prishtinën për mungesën e zotësisë për zbatimin e obligimeve që ka marrë.

“Dështimi i Kosovës, kriza institucionale e vitit 2014, vonesat në dialog, ndonëse edhe me fajin e Brukselit, kanë ndikuar që Gjermania dhe Britania e Madhe të heqin dorë nga kushtet fillestare në raport me Serbinë. Tani Serbia po i fillon negociatat për anëtarësim, po i hap kapitujt pa zbatuar marrëveshjen e parë”, ka thënë Rashiti./telegrafi/