Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, përmes një njoftimi për media, tregon se është njoftuar përmes mediave që “Ismet Abdullahu me disa kolegë të tij paska vendosur të mos jetë pjesë e Aleancës në Podujevë”.
AAK-ja thotë se ky është vendim i tij, derisa i dëshiron sukses kudo që të shkojë si dhe e falënderon për bashkëpunimin e deritashëm.
“Për hirë të informimit të drejtë të opinionit ju njoftojmë se Kryesia e AAK-së ka ditë që e ka emëruar Fatmir Humollin si koordinator të Degës së AAK-së në Podujevë, për të përgatitur Kuvendin Zgjedhor të kësaj dege, e cila është më e organizuar se sa asnjëherë më parë”, thuhet në njoftimin e AAK-së.
“Do të na vinte keq sikur arsyeja e largimit ta Abdullahut të kenë qenë kritikat që i janë bërë atij për shkak të punës së pamjaftueshme në degë, si dhe caktimi i z. Humolli në përgatitjen e Kuvendit Zgjedhor”.
Ai do të shkojë në Partinë Demokratike të Kosovës. Kjo parti ka ftuar mediat ta përcjellin një aktivitet, në të cilin, siç ka njoftuar kjo parti, do të bëhet aderimi i Kryesisë së degës së AAK-së në Podujevë.