AAK-ja forcohet me dy të përjashtuar nga Vetëvendosja

Ish-kryetari i Vetëvendosjes dhe kandidati për kryetar të komunës së Deçanit, Bilall Hadërgjonaj, dhe asambleistja e VV-së, Shpresa Hadërgjonaj, kanë kaluar në sot në Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës.

“Ata kanë deklaruar se arsyeja e kalimit në AAK, është politika konsistente e kundërshtimit të keqqeverisjes dhe kapjes së shtetit nga ana e AAK-së, si dhe lëkundjet që ka pasur VV në kundërshtimin opozitar”, thuhej në komunikatën e AAK-së.

Atyre mirëseardhje në AAK u kanë dëshiruar, Blerim Kuçi, Sekretar i përgjigjithshëm, Deputetit dhe kryetarit të AAK-së në Deçan, Daut Haradinaj si dhe anëtari i Kryesisë Rasim Selmanaj,

Me daljen e dy asambleistëve të VV-së, tash AAK në Asamblenë Komunale i ka 15 asambleistë, ndërkaq të gjitha partitë tjera bashkë, 12.

Për aderimin e dy ish-anëtarëve në AAK ka reaguar lëvizja Vetëvendosje, e cila ka njoftuar se Hadërgjonajt janë përjashtuar nga partia dhjetë muaj më parë.

“Sqarojmë opinionin se asambleistët Bilall dhe Shpresa Hadërgjonaj janë përjashtuar nga Lëvizja Vetëvendosje! më shumë se dhjetë muaj më parë, për shkak të pakënaqësisë së subjektit tonë me mospërfaqësimin e Lëvizjes nga ana e këtyre dy asamblistëve”, thuhej në reagimin e VV-së.

“Është për keqardhje nevoja e AAK-së që përmes lajmeve të pavërteta të tentojë krijimin e përshtypjes se njerëz të Vetëvendosje!-s po kalojnë në atë subjekt”.