AAK-ja kërkon shfuqizimin e marrëveshjes për letërnjoftimet ilegale të serbëve

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka reaguar sot në lidhje me arritjen e marrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë që të lejohet edhe për një kohë letërnjoftimet e lëshuara nga strukturat paralele serbe.

Këtë njoftim nga ana e Qeverisë AAK e quajnë lëshim tepër të rëndë nga ana e Qeverisë.

“Njoftimet se në Bruksel është arritur marrëveshja për validitetin e letërnjoftimeve ilegale të lëshuara edhe nga strukturat paralele serbe të Kosovës, qoftë edhe për një fazë, siç thuhet tranzicioni, është një lëshim tepër i rëndë i qeverisë së Kosovës. Për më tepër, kjo është lëshuarje pe ndaj kërkesave gjithnjë e më agresive të palës serbe në bisedimet e Brukselit”, thuhet në reagimin e AAK-së.

Sipas AAK, njohja e këtyre dokumenteve të jashtëligjshme, paraqet edhe problem të sigurisë dhe është koncept krejtësisht i gabuar për integrimin e komunitetit serb në institucionet e Republikës së Kosovës.

Andaj AAK kërkon nga Qeveria ta sqarojë saktë se çfarë është diskutuar dhe për çfarë janë marrë vesh në bisedimet e djeshme në Bruksel.

“Për më tepër kjo qeveri, pas marrëveshjes kundërkushtetuese për Asociacionin me Serbinë, nuk e ka legjitimitetin të bisedojë për kurrfarë çështjesh që lidhen me marrëdhëniet me Serbinë dhe ajo duhet që urgjentisht ta shfuqizojë marrëveshjen e bërë dje, me të cilin po i legjitimon edhe dokumentet ilegale të strukturave paralele të serbëve në Kosovë”, thuhet në reagim.