Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës demanton zërat se kjo parti mund të bëhet pjesë e Qeverisë Mustafa, duke i cilësuar informatat e tilla si produkt i “mediumeve të sponsorizuara”, transmeton Telegrafi.
Lexojeni të plotë reagimin e AAK-së:
“Qëndrimi parimor dhe i vendosur i AAK-së, për të kundërshtuar keqqeverisjen dhe për ta bërë opozitarizmin sipas parimeve që e udhëheqin këtë parti, i ka çuar peshë disa mediume të sponsorizuara, herë nga njëra e herë nga pala tjetër, që të fabrikojnë rrena se si AAK po hyn në qeveri!
Ky reagim s’ka të bëjë me këto mediume e as me sponsorët e tyre, por është sqarim për opinionin publik.
AAK, me asnjë çmim, nuk do të jetë pjesë e Qeverisë Mustafa. Prandaj fushata e rrenave, nuk do të mund ta dëmtojë më AAK-në, sepse qytetarët po i shohin vlerat e secilit. Me këtë qeveri do të shihemi vetëm në zgjedhje, të cilat s’mund t’i ndalë kush!”, thuhet në reagimin e AAK-së. /Telegrafi/