Abdixhiku: Aksioni i sotëm policor demanton deklaratën e Thaçit mbi korrupsionin

“Percepsioni për korrupsion dhe realiteti për korrupsion në Kosovë janë dy bota të ndryshme. Institucionet e vendit po e fitojnë fuqinë dhe besimin të ballafaqohen me sfidat. Një ndër sukseset në rastin e rekomandimit të vizave janë përpjekjet e institucioneve për ta luftuar korrupsionin. Duhet bëhet më tepër dhe ka tolerancë zero”.

Kështu deklaroi dje Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, gjatë një takimi që zhvilloi me shefin e Agjencisë Kundër Korrupsion, Hasan Preteni.

Ndërsa po sot, Policia e Kosovës dhe misioni i EULEX-it, kanë ndërmarr një aksion të gjerë bastisjesh pikërisht për shkak të këtij fenomeni.

Ndaj deklaratës së Thaçit ka reaguar edhe analisti Lumir Abdixhiku, i cili ka thënë se vetëm një ditë pas kësaj deklarate, policia po përndjek bashkëpunëtorin e tij po për korrupsion.

“Korrupsioni në Kosovë është vetëm percepcion” – thoshte Presidenti i vendit më të korruptuar në Evropë. Një ditë më pas, një ndër bashkëpunëtorët më të afërt të tij, “Daja” me 51 hajdutë, po përndiqeshin nëpër Kosovë për afera korruptive e krim të organizuar”, ka deklaruar Abdixhiku.