Abrashi qëndron prapa deklaratave të tij: Opozitën e Kam krahasuar vetëm me metodat e ISIS-it për frikësim

Ministri Punës dhe Mirëqenies Sociale, njëherësh edhe zëdhënës i Qeverisë së Kosovës, Arban Abrashi, ka thënë se nuk ka përse të kërkojë falje për deklaratat e tij, sepse siç ka thënë ai, nuk ka krahasuar njerëz, parti e as opozitën në tërësi me ISIS-in.

Sipas tij ai ka krahasuar vetëm metodën e xhirimit të aksioneve që përdoren “për të ndjellë frikë te zyrtarët tjerë qeveritarë, por edhe te qytetarët”.

“Unë e kam krahasuar vetëm metodën e xhirimit të aksioneve, që përdoren për t’i linçuar zyrtarët publikë. Nuk e kam krahasuar gjithë opozitën e as edhe një parti me ISIS-in”, ka thënë ministri Arban Abrashi në një intervistë në televizionin publik.

Ai nuk ka pranuar të kërkojë falje dhe ka thënë se qëndron prapa deklaratave të tij se metodat e përdorura nga VV-ja janë të njëjta me ato të Shtetit Islamik. /telegrafi/