Ahmeti: Duhet të flasim sot se nesër bëhet vonë!

Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti përmes një postimi në facebook ka përshkruar manifestimin e ditës së djeshme të opozitës, duke thënë se dje ka parë policinë të mërzitur.

Ja postimi i plotë i Ahmetit në facebook:

Kemi qëndruar gati dy orë në manifestimin e opozitës kundër marrëveshjeve.

Kemi qëndruar gati katër orë në rrugën Luan Haradinaj të bllokuar nga policia.

Nuk e kam parë as edhe nje qytetar as të tentojë të gjuajë policinë. Bile janë larguar nga turma edhe ata që kanë thënë ndonje fjalë pak më të rëndë.

Megjithatë, pushteti përdori njësitin luftarak NJSI për të hyrë me pushka me tyta të gjata në zyrat e subjektit më të madh opozitar duke arrestuar çdo njeri rrugës, duke thyer çdo zyre, duke marrë dokumente e xhirime dhe duke gjuajtur edhe me plumba gome.

Mirëpo, dje pashë edhe policë të mërzitur. Njëri doli nga radha edhe i kërcënoi ca policë agresivë që në qoftë se sheh goditje nga ta do ti lajmërojë në inspektorat. Njëri ankohej se pa dëshirë po del. Disa të tjerë ishin të mbushur me urrejtje.

Por shumica e tyre janë të zhytur në kredi, sikurse edhe krejt qytetarët. Të gjithë ata nuk kanë sigurim shëndetësor, sikurse shumica e qytetarëve të Kosovës.

E krejt kjo se ky pushtet ka vjedh dhe është i paaftë për zhvillim, e pa dëshirë për ta luftuar korrupcionin. Këta janë njerëzit më të pasur të Kosovës.

Po na e vjedhin shërbimin, rrugën, shkollën e sigurimin shëndetësor.

Le ta kuptojnë edhe neutralët që u befasuan dje se sot mund të jenë deputetët e aktivistet e arrestuar e nesër do të jemi te gjithë ne. E të robëruar nga kreditë do ti kthehemi të kaluares tonë.

Duhet të flasim sot se nesër bëhet vonë!