Akademikët apelojnë për dialog

Drejtues të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës (ASHAK) kanë apeluar tek drejtuesit e subjekteve politike në vend që të ulen dhe të bisedojnë për zgjidhjen e krizës, që ka kapluar vendin tash e disa muaj. Kryetari i ASHAK-ut, Hivzi Islami, pas takimit që zhvilloi dje me kryetarin e Kuvendit, Kadri Veseli, ka thënë se institucioni që e drejton ai nuk do të përfshihet në situata ditore politike, por, siç ka thënë ai, do të merret me veprimtari në fushën shkencore “Për zgjidhjen e çështjeve politike janë institucionet përgjegjëse.

Akademia nuk involvohet në ndodhitë dhe ritmet e ditës. Këto janë procese ditore, ne i kemi institucionet, i kemi ligjet, organet tona, të zgjedhurit dhe këta i marrin obligimet e tyre edhe përgjegjësinë. Natyrisht që nuk jemi indiferentë ndaj asaj që po ndodh sot, por institucionet janë ato që duhet t’i zgjidhin pa dhunë, me qetësi dhe dialog”, ka thënë ai.
Ndërsa kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, ka deklaruar se ASHAK-u ka dhënë kontribut në vazhdimësi dhe është e mirëpritur për analizat shkencore për tejkalimin e situatës. Veseli ka apeluar Akademinë që të jetë neutrale sa i përket pozicioneve politike.
“Akademia e ka përkrahjen e plotë të institucioneve të Kosovës dhe është e mirëpritur për analizat shkencore për tejkalimin e situatës. Të gjithë e duam vendin tonë”, ka thënë Veseli.
Përkrahje Akademisë u ka dhënë edhe ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arsim Bajrami. Ai ka thënë se MASHT-i do të ndihmojë me buxhet Akademinë e Shkencave edhe në të ardhmen.
“Kosova po kalon në një tranzicion dhe mendimi i shkencëtarëve që kanë pasur kontribut në shtetndërtim do të mundë të ndihmonte edhe në qetësimin e situatës politike dhe në tejkalimin e problemeve aktuale që kemi”, ka thënë Bajrami. /Zeri