AKK po e heton Kryeprokurorin Lumezi për konflikt interesi (DOKUMENT)

Agjencisë Kundër Korrupsion iu desh gati një vit kohë për t’i nisur hetimet për konflikt interesi ndaj kryeprokurorit të shtetit Aleksander Lumezi. Ai vetëm pak ditë pasi ishte dekretuar në pozitën e Kryeprokurorit, në prill të vitit 2015, kishte nxjerrë një vendim përmes të cilit, lëndën në të cilën po hetohej edhe vetë, ia kishte hequr prokurorit Armend Hamiti, për t’ia deleguar Sevdije Morinës. Gazeta Express kishte raportuar me 06 maj 2015 për këtë vendim të kryeprokurorit

Aleksandër Lumezi, përmes një vendimi të nxjerrë me 29 prill 2015, kishte marrë nën ombrellën e tij lëndën në të cilën po zhvillohen hetime edhe ndaj tij për planifikim të vrasjes dhe përfshirje në korrupsion. Informacione për këtë rast kishte ofruar prokurori ndërkombëtar Heiki Wendorff në një letër dërguar atëkohë Presidentes Atifete Jahjaga, pak ditë para se ajo ta dekretonte Lumezin në pozitën e re.

Kryeprokurori Lumezi këtë lëndë ia kishte deleguar Sevdije Morinës. Sipas, vendimit Morina obligohej që të caktojë një prokuror special për të zhvilluar hetimet dhe ndjekjen penale e që do të mbikëqyrej drejtpërdrejt nga prokurorja Morina.

Gati një vit pas raportimit të Gazetës Express, ky rast ka rënë në llupën e AKK’së, që po heton nëse nxjerrja e këtij vendimi përben konflikt interesi nga ana e kryeprokurorit.

Shefi i Agjencisë Kundër Korrupsionit, Hasan Preteni, në një përgjigje për Klan Kosovën, ka thënë se Agjencia Kundër Korrupsionit do të hetojë këtë vendim në kuadër të misionit të saj, për të parë nëse Kryeprokurori Lumezi ka konsumuar veprën penale të konfliktit të interesit, kur kishte vendosur ta merrte lëndën, në të cilën ishte i përfshirë edhe vetë në hetime.

Në vendimin në fjalë, të nxjerrë më 29 prill 2015, Kryeprokurori Lumezi, nuk ka dhënë asnjë shpjegim të vetëm, se pse kjo lëndë duhet t’i hiqet Armend Hamitit dhe t’i jepet dikujt tjetër.

Pak ditë pasi Gazeta Express kishte publikuar artikullin, Prokuroria Speciale kishte konfirmuar se e kanë marrë lëndën e Armend Hamitit, i cili po hetonte korrupsionin në EULEX bashkë me prokurorin finlandez Weikki Wendorf. Por, kjo Prokurori pohonte se s’ka asnjë njoftim se në këtë lëndë zyrtarisht është duke u hetuar edhe Kryeprokurori Aleksander Lumezi.

“Ju informoj se nuk ka “rast Lumezi” që është nën hetime në asnjë prokurori. Këtë e ka vërtetuar edhe misioni EULEX, duke sqaruar se ndaj kryeprokurorit të Shtetit, Aleksander Lumezi, nuk ka hetim zyrtar. Përndryshe hetimet e kësaj task force, nuk kanë të bëjnë me “rastin Lumezi”, por me hetime rreth pohimeve për korrupsion në EULEX”, thuhej në përgjigjen e Prokurorisë Speciale, një ditë pas publikimit të artikullit.

Ky është artikulli i plotë i publikuar në Gazetën Express me 06 Maj 2015: 

Kryeprokurori Lumezi ia merr rastin prokurorit Hamiti, i cili po e hetonte për planifikim në vrasje dhe përfshirje në korrupsion

Skandali në ditën e dekretimit të Kryeprokurorit të Shtetit, Aleksandër Lumezi, për të cilin prokurori ndërkombëtar Heiki Wendorff, kishte ofruar informacion te Presidentja se ai po hetohej për planifikim të vrasjes dhe se ishte përfshirë në korrupsion, tashmë është futur zyrtarisht nën timonin e vet Kryeprokurorit Lumezi.

Vetëm pak ditë pasi është dekretuar në pozitën e Kryeprokurorit, Aleksandër Lumezi, ka vendosur ta marrë nën ombrellën e tij lëndën në të cilën po zhvillohen hetime edhe ndaj tij për planifikim të vrasjes dhe përfshirje në korrupsion.

Gazeta Express ka mësuar se një javë pas dekretimit, më 29 prill, Kryeprokurori Lumezi ka nxjerrë një vendim, përmes të cilit lëndën në të cilën po hetohej, ia ka marrë prokurorit vendor Armend Hamiti, i cili ishte ngarkuar së bashku me prokurorin finlandez Heiki Wendorf për hetimin e dyshimeve për korrupsion në EULEX.

Lumezi lëndën në të cilën vetë po hetohet, ia ka deleguar ushtrueses së detyrës së Kryeprokurores së Prokurorisë Speciale, Sevdije Morina. Në vendim Morina obligohet që të caktojë një prokuror special për të zhvilluar hetimet dhe ndjekjen penale dhe i cili do të mbikëqyret drejtpërdrejt nga Sevdije Morina.

Në vendimin, të cilin e posedon Gazeta Express, thuhet: “Kompetencën e marrë nga paragrafi 1 me vendimin e mëparmë A.nr.63/14 të datës 13.03.2014, ia delegoj PSRK-së. U.d. kryeprokurori i PSRK-së obligohet ta caktoj një prokuror nga PSRK-ja për hetimin dhe ndjekjen penale”.

Në vendimin e nxjerrë për t’ia marr rastin Armend Hamitit, Kryeprokurori Lumezi, nuk ka dhënë asnjë shpjegim të vetëm, se pse kjo lëndë duhet t’i hiqet atij dhe t’i jepet dikujt tjetër. Në këtë mënyrë lëndën për të cilën hetohej për planifikim vrasje dhe përfshirje në korrupsion, Kryeprokurori Lumezi e ka marr në duart e veta për t’ia deleguar prokurorëve të prokurorisë speciale.

Marrja e rastit nga Kryeprokurori i Shtetit lejohet me ligj, por për një gjë të tillë duhet të ekzistojnë arsyet e caktuara. Në këtë rast në asnjë pikë të vendimit të Kryeprokurorit Lumezi nuk ka dhënë arsyetim pse po i merret lënda prokurorit Armend Hamiti, i cili për më tepër në këtë rast po e hetonte vetë Kryeprokurorin Lumezi, si të dyshuar për përfshirje në planifikim të vrasjes dhe përfshirje në korrupsion.

Tërheqja e rastit nga prokurori Hamiti, i cili së bashku me prokurorin finlandez Heiki Wendorf po e hetonte Kryeprokurorin Lumezi mund të paraqes konflikt interesi, që në këtë rast do të përbënte vepër penale.

Përmes këtij vendimi Lumezi ka ushtruar ndikim të drejtpërdrejtë në këtë rast, në të cilin vetë është subjekt i hetimit si i dyshuar. Prokurorët janë të pavarur në ushtrimin e funksionit të tyre dhe në vendimmarrje dhe në këtë rast cenohet drejtpërdrejt pavarësia e prokurorit Hamiti.

Ky vendim vjen një javë pasi plasi skandali me letrën e dërguar te Presidentja nga prokurori Wendorf, i cili pretendon se Kryeprokurorit Lumezi ishte përfshirë në planifikim të vrasjes dhe në korrupsion. Pas publikimit të letrës së Prokurorit finlandez, kishte reaguar Lumezi, duke i quajtur dyshimet ndaj tij si të pabaza dhe gënjeshtra. Madje, ai e ka quajtur luftë të fëlliqtë që është zhvilluar ndaj tij prej kohës kur kishte nisur gara për Kryeprokuror.

Ndërkohë, “Koha Ditore” ka dy ditë rresht që raporton për ndërhyrjet në rastin e aferave korruptive në EULEX, të cilat po hetohen nga prokurori finlandez Heiki Wendorf dhe prokurori Armend Hamiti. /GazetaExpress/.