Aksionarët e Termokos-it, veprimin e Ahmetit e krahasojnë me të Molliqajt

Emërimi i kryeshefit të Termokosit nga radhët e PDK-së vuri në aksion kryetarin e komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti.

Ditën kur Naser Canolli, kryeshefi i ri i Termokosit, doli për herë të parë në vendin e tij të punës, u vizitua nga kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, raporton KTV.

Përzgjedhja e Canollit, i cili është edhe nënkryetar i PDK-së në Prishtinë, nuk i pëlqeu fare kryetarit Ahmeti. I pari i Prishtinës shfrytëzoi facebookun, ku tha se Canolli ishte dërguar në këtë post nga rivalët partiakë, Lirak Çelaj i PDK-së dhe Sami Hamiti i LDK-së.

Ahmeti më tutje në postimin e tij në Facebook ka thënë se nuk bën të lejohen këso lloj veprimesh, duke u bërë thirrje qytetarëve që së bashku t’u dalin në mbrojtje ndërmarrjeve publike nga, siç i ka quajtur ai, zhvatësit shumëvjeçarë.

Mirëpo, kjo vizitë e kreut të Prishtinës ndërmarrjes Termokos u quajt e pa precedentë nga aksionarët e kësaj ndërmarrjeje.

Muhamet Selmani, aksionar i ndërmarrjes, i cili po ashtu është asamblist i PDK-së, veprimet e Ahmetit i krahason me ato të sekretarit të VV-së, Dardan Molliqaj, i cili në protestat e 18 nëntorit nxori zyrtarin shtetëror nga makina zyrtare.

Për më tepër, Selmani pretendon se Ahmeti, gjatë vizitës së tij, pati me vete persona të armatosur.

Kryetari i PDK-së në Prishtinë, Lirak Çelaj, pranon se kryeshefi i ri i Termokosit vjen nga radhët e partisë së tij, por mohon të ketë ndikuar në përzgjedhjen e tij.

Ndërsa shefi i grupit të këshilltarëve të LDK-së në Kuvendin e Prishtinës, Sami Hamiti, përmes telefonit ka thënë se Ahmeti gjithmonë i personalizon çështjet kur nuk ka fuqi argumentuese, duke mohuar se ai ka ushtruar ndikimin e tij në këtë përzgjedhje.

KTV-ja ka kontaktuar përmes telefonit edhe kryeshefin e ri të Termokosit, Naser Canolli, i cili ka thënë se ai ka respektuar të gjitha procedurat e përzgjedhjes së konkursit dhe konsideron se në mënyrë të ligjshme është përzgjedhur në këtë post.

Për më tepër, Canolli ka thënë se e konsideron si shqetësuese mënyrën e vizitës së kreut të Prishtinës në zyrat e kësaj ndërmarrjeje, duke theksuar se Ahmeti nuk mund të zgjidhë asnjë problem në këtë formë.

KTV-ja gjithashtu ka kërkuar një sqarim për gjithë këtë situatë të krijuar edhe nga kryetari dhe komuna e Prishtinës, por nuk ka marrë përgjigje.