Aktakuzë për rrezikimin e kryeministrit

Departamenti për Krime të Rënda në Prokurorinë Themelore, në Prishtinë, ka ngritur aktakuzë kundër T.G., për veprat penale: “Dhuna ndaj përfaqësuesve të lartë të Republikës së Kosovës në tentativë”, nga Neni 128, lidhur me Nenin 28 dhe 31, të Kodit Penal të Republikës së Kosovës dhe “Pengim i personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrës zyrtare”, nga Neni 409 par.1, lidhur me Nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Aktakuza ka të bëjë me rrezikimin e përfaqësuesve të lartë të Republikës së Kosovës, gjegjësisht eskortës së kryeministrit, ku i pandehuri sipas marrëveshjes paraprake me katër persona të paidentifikuar në rrugën “Ilir Konushevci”, në Prishtinë, me disa mjete të përshtatshme për shkatërrimin e gomave të punuara nga metali me gjemba, kanë tentuar të shkatërrojnë gomat e veturave të eskortës, mirëpo janë penguar nga personat zyrtarë. Gjatë veprimeve të pjesëtarëve të Policisë së Kosovës, i pandehuri të njëjtit i ka sulmuar duke iu shkaktuar lëndime trupore.

Pas kësaj ngjarjeje Lëvizja “Vetëvendosje” është deklaruar se nuk qëndron pas këtij akti, mirëpo pas arrestimit të të pandehurit rezulton se i njëjti është anëtar i kësaj Lëvizjeje.

Për veprat, me të cilat i pandehuri ngarkohet sipas aktakuzës, prokurori i rastit nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, ka kërkuar nga Gjykata që të pandehurin ta shpallë fajtor dhe ta dënojë sipas ligjit. /Zëri/