Analizë: Feronikeli – Hajvalia

Nga: Arsim Prepolli

Feronikeli – Hajvalia është ndeshja e sezonit vjeshtor në Superligën e Kosovës ngase përcakton kampionin në pjesën e parë të këtij edicioni.

Shohim renditjen tabelare dhe gjithçka na bënë të qartë se ndeshja Feronikeli – Hajvalia do të jetë derbi, përkundër faktit që do zhvillohet në Pejë shkaku i suspendimit të terrenit të Feronikelit nga Komisioni disciplinor për shkak të incidentit të shumë përfolur.

Kjo ndeshje pritet të jetë e barabartë ngase të dy skuadrat kanë cilësi në rradhët e veta. Ndoshta një përparësi e vogël i shkon këtë herë Hajvalisë për shkak se ndoshta Feronikeli nuk do të ketë përkrahjen maksimale dhe voluminoze të tifozëve ashtu siç e ka në stadiumin e vet në Drenas.

Ajo që është me rëndësi te këto dy skuadra është shfaqja e një futbolli të hapur. Po ashtu edhe fakti tjetër që në përbërjen e të dyja palëve ka lojtarë të cilët kanë përvojë bukur të madhe në futboll. Repartet e këtyre dy skuadrave janë shumë solide sidomos ato të mesfushës dhe në këtë drejtim një favorizim i shkon Feronikelit shkaku i dyshes në top formë gjatë tërë pjesës së parë të këtij stinori, Mentor Zhdrellës dhe Behar Maliqit të cilët vendosën në disa ndeshje duke fituar pikë shumë me rëndësi.

Kur i shtojmë edhe faktin tjetër se Hajvalia funksionon shumë mirë në fazën defanzive nuk do të duhej të dyshonim në një ndeshje cilësore me të cilën do të kënaqen adhuruesit e futbollit kosovar.

Feronikeli do të bëjë çmos që ti bind të gjithë se e meriton të jetë lider dhe skuadra serioze drejt mbrojtjes së titullit, ndërsa Hajvalia tejet e motivuar do të kërkojë të dimërojë si kampion vjeshtor për herë të parë.