Anemia, cfarë duhet te dini?

NJOHURI BAZIKE

Anemia është një sëmundje e cila shkaktohet kur nuk keni numër të mjaftueshëm të qelizave të kuqe (eritrociteve) në gjak. Kjo shkaktohet edhe kur ju keni numër të mjaftueshëm të qelizave të kuqe, por atyre u mungon hemoglobina, një substancë e cila është përgjegjëse për transportimin e oksigjenit nëpër organe.

Ka disa lloje të anemive, dhe secila ka shkaktarin dhe mënyrën e vet të mjekimit. Anemitë mund të jenë të përkohshme ose afatgjata dhe mund të jenë nga të lehta deri të anemi të rënda.

Anemia më së shumti shkaktohet për shkak të mungesës së hekurit, i cili është përbërës kyç i hemoglobinës. Kjo është edhe arsyeja se pse anemia trajtohet pikërisht me ilaçe të cilat përmbajnë hekur. Anemia mund të shkaktohet edhe për shkak të humbjes së gjakut, mungesës së acidit folik ose vitaminës B12, sëmundjes me qeliza në formë drapri, dhe një sëmundje gjenetike të quajtur talasemia.

Disa forma të anemisë, si për shembull ajo gjatë shtatzënisë, konsiderohen si gjendje normale të organizimit.

Megjithatë disa lloje të anemisë mund të shkaktojnë edhe probleme të tjera shëndetësore, andaj është mirë të vizitoni mjekun nëse dyshoni se keni anemi. Mjekimi i anemisë ndryshon që nga përdorimi i barnave të lehta deri te ndërhyrjet me procedura më të komplikuara mjekësore. Ju mund t’i parandaloni disa lloje të anemisë duke u ushqyer në mënyrë të shëndetshme dhe duke konsumuar ushqime të llojllojshme.

Roli i qelizave të kuqe të gjakut

Zemra, me anë të rolit të saj pompues, shpërndan gjakut gjithkund nëpër trup përmes artereve. Por, janë qelizat e kuqe të gjakut ato të cilat e bartin oksigjenin nga mushkëritë dhe e çojnë atë se çdo qelizë të organizmit. Qelizat e shfrytëzojnë oksigjenin si mjet për djegie për të zbërthyer sheqerin dhe yndyrat të cilat prodhojnë energji për organizmin. Gjatë këtij procesi lirohet dyoksidi i karbonit, i cili po përmes qelizave të kuqe të gjakut arrin në mushkëri dhe nxirret jashtë.

Me një fjalë qelizat e kuqe të gjakut përcjellin oksigjenin (e marrë prej ajrit nga mushkëritë) kudo ku ka nevojë në organizëm dhe e largojnë dyoksidin e karbonit nga organizmi. Si rrjedhojë ato janë vitale për funksionimin normal të organizmit.

Qelizat e kuqe të gjakut përmbajnë hemoglobinë, një proteinë e kuqe e cila është e pasur me hekur dhe e cila ia jep ngjyrën e kuqe gjakut. Është pikërisht hemoglobina ajo që u ndihmon qelizave të kuqe të gjakut ta bartin oksigjenin nga mushkëritë nëpër çdo qelizë të organizmit, dhe dyoksidin e karbonit në kahe të kundërt.

Qelizat e kuqe të gjakut, si edhe shumica e qelizave të tjera të gjakut, prodhohen rregullisht në palcën kockore – që është një material sfungjeror që gjendet në brendësi të shumë kockave të mëdha të organizmit. Për të prodhuar hemoglobinën dhe qelizat e kuqe, trupi juaj ka nevojë për hekur, vitaminën B12, acidin folik si dhe përbërës të tjerë të cilat gjendet në ushqimin që hani.

SHKAKTARËT

Çfarë e shkakton aneminë?

Ka me qindra lloje të anemisë, të cilat kryesisht ndahen në tre grupe:

  • Anemia si pasojë e humbjes së gjakut
  • Anemia e shkaktuar për shkak të prodhimit të pamjaftueshëm ose të parregullt të qelizave të kuqe të gjakut
  • Anemia e shkaktuar nga shkatërrimi i qelizave të kuqe të gjakut

Anemia si pasojë e humbjes së gjakut

Qelizat e kuqe të gjakut mund të humben përmes gjakderdhjes, që mund të ndodhë ngadalë gjatë një periudhe të gjatë dhe mund të kalojë e pavërejtur. Kjo lloj gjakderdhje kronike (e vazhdueshme) zakonisht vjen si pasojë e:

  • sëmundjeve gastrointestinale si ulcera, hemorroidet, gastriti dhe kanceri
  • përdorimi i barnave antiinflamatore, si aspirina ose ibuprofeni
  • gjakderdhjet menstruale ose të lindjes te femrat, veçanërisht nëse gjakderdhjet menstruale janë të zgjatura dhe nëse ka shtatzëni të shumëfishtë.

Anemia e shkaktuar nga mosprodhimi i duhur i qelizave të kuqe

Trupi mund të prodhojë vetëm pak qeliza të gjakut ose qelizat e gjakut të prodhuara të mos funsksonojnë në mënyrë korrekte. Në të dyja rastet mund të paraqitet anemia. Qelizat e kuqe të gjakut mund të jenë me të meta (jo të pjekura) ose të pakta për shkak të pranisë së qelizave të kuqe anormale ose mungesës së mineraleve dhe vitaminave të nevojshme që qelizat e kuqe të gjakut të punojnë në mënyrë të rregullt. Në këto raste kemi këto lloj të anemive:

  • anemia për shkak të qelizave në formë drapri
  • anemia për shkak të mungesës së hekurt
  • anemia për shkak të mungesës së vitaminave
  • anemia si pasojë e problemeve me palcën e kockave dhe qelizën amë (qeliza prej të cilës krijohen të gjitha qelizat tjera)
  • probleme të tjera shëndetësore.

Anemia hemolitike

Kjo lloj anemia zhvillohet kur qelizat e kuqe shkatërrohen më shpejt se sa palca kockore i krijon ato. Janë disa sëmundje të caktuara të cilat mund të shkaktojnë një shkatërrim të rritur të qelizave të kuqe. Anemia hemolitike mund ët jetë e trashëguar ose mund të fitohet gjatë jetës.

Anemia me qeliza në formë drapri

Kjo është një sëmundje e trashëguar dhe shpesh serioze, e shkaktuar nga forma të parregullta të hemoglobinës të cilat detyrojnë qelizat e kuqe të gjakut të marrin një formë gjysmë-hënore (drapri). Këto forma të parregullta të qelizave të kuqe vdesin para kohe, duke rezultuar në zvogëlim të qelizave të kuqe të gjakut.

Anemitë tjera

Ka edhe forma të tjera më të rralla të anemisë, si talasemia dhe anemia e shkaktuar nga hemoglobina defektive./mjekunet/