Apple po teston 5 prototipa të ndryshme të iPhone 7

Gjenerata e re e iPhone-it do të quhet Apple iPhone 7. Nëse gjithçka shkon sipas planit, atëherë Apple do të bëjë disa ndryshime tek dizajni dhe do të shtojë veçori të reja tek telefoni i ri inteligjent.

Tek secila gjeneratë e iPhone-ve Apple ka sjell veçori të reja. Kështu iPhone 3GS u pasua nga iPhone 4 me dizajn krejtësisht të ri. Tek iPhone 4s Apple solli asistentin Siri për herë të parë, ndërsa iPhone 5 erdhi me një ekran më të madh. iPhone 6 solli një pamje të re për telefonin dhe ekran më të madh, 4.7 inç; në të njëjtën kohë u zbulua phableti iPhone 6 Plus me ekran 5.5 inç.

Ndërkohë, Apple po punon për krijimin e iPhone 7. Sipas një burimi të afërt me kompaninë, mësohet se Apple po teston 5 prototipa të ndryshëm të iPhone 7. Disa nga teknologjitë që do të përfshihen tek iPhone 7 janë porta për USB e tipit C që mbështet kufjet, furnizimi me energji nëpërmjet wireless-it, skaneri për gjurmët e gishtave që do të vendoset tek ekrani i telefonit, teknologjia multi-Force Touch, dhe kamerë të dyfishtë në anën e pasme. Mësohet gjithashtu se Apple po teston edhe ekranin AMOLED, edhe pse një ndryshim i tillë nuk do të ndodhë deri në vitin 2019.

Deri tani është thënë se iPhone 7 do të jetë rezistent ndaj ujit, dhe nuk do të ketë vendin për kufje. Sipas analistit të KGI Securities, Ming-Chi Kuo, iPhone 7 do të ketë ekran 4.7 inç dhe 2GB RAM, ndërsa iPhone 7 Plus do të vijë m ekran 5.5 inç dhe 3GB RAM. Të dy modelet do të fuqizohen nga çipi A10 i Apple-it. Meqë iPhone 6s dhe iPhone 6s Plus kanë më pak se tre muaj që kanë dalë në treg, do të na duhet të presim gjatë derisa të zbulohet iPhone 7. /krokodili/