Arton Jupolli nuk është i sëmurë, dikush po ia keqpërdor dokumentet e humbura

Një lajm që është shpërndarë sot me shpejtësi nëpër media se një 36 vjeçar nga Podujeva është sëmurë rëndë dhe po kërkon para për t’u shëruar po del të jetë i pavërtetë.

Familjarë të Arton Jupollit, i apostrofuar si kërkues i ndihmës për shërim, e kanë demantuar lajmin se ai është sëmurë me kancer.

Muhamed Azemi, djalë i tezes së Arton Jupollit tha për KosovaPress se atij i kanë humbur letërnjoftimi dhe kartela e bankës dhe se dikush ka keqpërdorur këto dokumente duke i shpërndarë.

Azemi tha se Jupolli është operuar më herët nga zorra qorre në Qendrën Klinike Universitare, por është i bindur se ai asnjëherë nuk ka bërë analiza mjekësore në ndonjë spital të Shkupit.

Sipas tij, Arton Jupolli nuk ka kurrfarë sëmundje dhe se është shëndosh e mirë.

Në kërkesën për ndihmë Arton Jupollit e që është publikuar në media është bërë publike edhe një diagnozë mjekësore në gjuhën maqedonase, por që si pacient figuron emri i Arton Jupollit, viti dhe vendi i lindjes.

Azemi tha se i vetmi lajm i vërtetë në këtë postim që është publikuar sot është vdekja e vëllait të Artonit para një viti.

Ai tha se ky rast do të lajmërohet edhe në Polici për të mësuar se kush ka keqpërdorur me emrin dhe dokumentet e tij.