ASK konfirmon, vendimi i Qeverisë për TVSH-në nuk i uli çmimet

Agjencia e Statistikave të Kosovës i ka përforcuar edhe më shumë deklaratat e shumë qytetarëve, të cilët nuk kanë vërejtur ndikimin e uljes së tatimit mbi vlerën e shtuar, raporton KTV.

Sipas të dhënave të kësaj agjencie, çmimet për një pjesë të produkteve u ulën, jo për shkak të uljes së TVSH-së, por nga ulja e çmimeve në berëzat ndërkombëtare.

Ilir Berisha, nga kjo agjenci, ka thënë se ka pasur edhe rritje të produkteve që me vendimin e qeverisë do të ishin dashur të ulen.

Konsumatorët nëpër markete ankohen se çmimet nuk po reflektojnë njëjtë me vendimin e marrë nga qeveria. Ata thonë se Kosova ka ligje shumë të mira, mirëpo ato nuk po ka kush i zbaton.

Bazuar në vendimin e nxjerrë nga Ministria e Financave, përpos bukës, çmimet është dashur të ulen edhe në oriz, miell, qumësht, vezë.

Ndërkaq rritja e çmimeve me vendimin për rritjen e TVSH-së nga 16 në 18% e ka prekur kafen e bluar, çajin, pijet alkoolike, drunjtë e zjarrit dhe derivatet e naftës.