Astrit Haraqija, pjesë e grupit 21 personash të Ukë Rugovës për shitje vizash

Njëzet e një persona përbëjnë “grupin kriminal” të Ukë Rugovës. Mes tyre edhe Astrit Haraqija.

Prokuroria Speciale u ka zgjeruar hetimet njëmbëdhjetë personave të tjerë për krim të organizuar që ka të bëjë me shitjen e vizave italiane, Schengen. Ndaj tyre Gjykata ka lejuar vazhdimin e hetimeve edhe për gjashtë muaj të tjerë për shkak të kompleksitetit, pra deri më 18 maj, shkruan sot Koha Ditore.

“Koha Ditore” ka siguruar vendimin e Gjykatës Themelore të Prishtinës të lëshuar muajin e kaluar me të cilin i lejohet prokurorit Allen Cansick që të vazhdojë hetimet kundër të pandehurve të dyshuar për krim të organizuar, ushtrim ndikimi, shpërdorim të pozitës zyrtare, mashtrim, falsifikim e armëmbajtje pa leje.

Ukë Rugova, Izet Beqiri, Azad Beqiraj, Fitim Beqiri, Visar Beqiri, Florian Petani, Kujtim Avdyli, Edison Idrizaj, Qefser Baholli, Liridona Beqiri, Hamza Beqiri, Driton Voca, Hamza Beqiri, Astrit Haraqija, Valon Selimi, Beg Shaqiri, Hasan Shaqiri, Azem Koskoviku, Alban Agushi, Haxhi Islami, Ragip Gashi dhe Fadil Ahmeti, po hetohet nga Prokuroria për veprime që kanë të bëjnë me shitje vizash.

Më 19 nëntor janë mbushur dy vjet nga nisja e hetimeve. Gjykata, ka lejuar një hetim të jashtëzakonshëm përtej afatit prej dy vjetësh për shkak të numrit të madh të të pandehurve, të dëshmitarëve dhe ndihmës juridike ndërkombëtare. Në hetim përfshihen edhe Italia, Greqia dhe Shqipëria.

Në vendimin e gjykatës për zgjatje të hetimeve përmendet se hetimet kundër, ish-ministrit të Kulturës, Astrit Haraqija, janë zgjeruar për krim të organizuar, mashtrim, ushtrim të ndikimit, kontrabandë me migrantë, dhe shpërdorim të pozitës zyrtare si dhe Valon Selimit, Beg Shaqirit, Hasan Shaqirit, Azem Koskovikut, Alban Agushit, Haxhi Islamit, Ragip Gashit dhe Fadil Ahmetit në lidhje me veprat penale krim të organizuar, që lidhet me mashtrim, ushtrim të ndikimit dhe kontrabandë me migrantë më 26 shkurt, 26 gusht dhe 16 tetor 2015